Qefnie Sulejmani nga qyteti i Fierit, ankohet në emisionin “STOP”, se bashkëshorti i saj me të cilin ka 47 vjet e martuar, ka shfaqur probleme të shëndetit mendor, që në vitin 1984. Ajo kërkon që i shoqi të shtrohet në Spitalin psikiatrik, sipas një urdhri të Prokurorisë. Por Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” nuk e merr parasysh këtë vendim të formës së prerë duke e quajtur lapsus. Zonja Qefnie kërkon ndihmë nga emisioni “STOP”, pasi gjendja e burrit të saj është tepër e rënduar duke përbërë rrezik për jetën e pjestarëve të familjes.
Jam drejtuar tek emisioni juaj sepse vetëm tek ju kam shpresë. Kam 47 vjet e martuar me bashkëshortin tim dhe që prej vitit 1984 është diagnostikuar nga një sëmundje e rëndë psikike. Quhet “skizofreni e pakontrolluar”. Ai ka çrregullime mendore dhe në fund e kanë nxjerrë të papërgjegjshëm fare. Në shtëpinë tonë nuk ka gjumë, nuk mbahet asnjë thikë. Ne rrimë roje natë e ditë, pasi ai nuk fle. Ai nuk do të na bëjë keq, por është i sëmurë. A nuk ka ky shtet një spital që të rri ky njeri?
Unë e di që ka një urdhër nga Prokuroria që detyron policinë e qytetit të Fierit që ta shtrojë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës. Përse nuk merret në konsideratë?
Prandaj i kërkoj ndihmë ministrit se ku është fuqia e shtetit këtu? Unë kërkoj derman që ky njeri të rri në një Spital Psikiatrik.
Shefi i komisariatit të Fierit thotë, se e kanë çuar zotin Sulejmani në spitalin “Ali Mihali” në Vlorë, por juristi i institucionit shëndetësor i ka thënë, se në këtë spital nuk trajtohen të sëmurët, që kanë kryer vepra penale. Por i sëmuri nuk ka kryer asnjë vepër penale, vendimi i gjykatës citon “shtrim për mjekim të detyrueshëm.
Përse nuk keni marrë asnjë masë?
Komisariati i Policisë Fier ka marrë të gjitha masat për zbatimin e këtij urdhri. Kemi çuar zotin Sulejman në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali“, Vlorë. Ky spital nuk është institucioni, sipas juristit të tyre për të trajtuar të sëmurët mendorë që kanë kryer vepra penale. Është me vendim gjykate për t’u shtruar, për mjekim të detyrueshëm pranë këtij spitali, por nga ana e tyre nuk është marrë parasysh vendimi i gjykatës, me pretendimin që ky spital nuk i ka kushtet për të trajtuar një person të mbyllur, pasi ky është një person që i privohet liria, sipas tyre.
Edhe drejtori i Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali”, Kujtim Llapi pretenton, se bëhet fjalë për një lapsus të prokurorisë dhe se i vetmi institucion sipas tij është Spitali i Burgut në qytetin e Krujës, që mund të marrë përsipër zotin Sulejmani.
Spitali Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë është një spital publik me dyer të hapura, që ka zonën e mbullimit nga Lushnja deri në Sarandë dhe trajton të gjithë të sëmurët mendorë të cilët janë pa vendime gjykate. Në rastin konkret çdo vendim gjykate që jepet për të sëmurët mendorë për shtrim të detyruar apo për mjekim të detyruar është vetëm një institucion që merret në Shqipëri.
Ju thoni që duhet të adresohet drejt qytetit të Krujës? Unë nuk jam juriste, por nga të dhënat që kam, atje është Spitali i Burgut dhe zotëria në fjalë nuk ka kryer asnjë vepër penale, përse duhet të shkoj aty? Dhe ka një vendim të formës së prerë, si me datën 06.02.2017 si edhe me shkresën tuaj të datës 20.02.2017. Është vendim i formës së prerë që ky pacient të shtrohet në spitalin tuaj.
Nuk mund të shtrohet pra në spitalin tonë. Shtrohet vetëm në spitalin e Krujës sepse ne nuk bëjmë mjekim të detyruar. Ai nuk ka kryer vepër penale, por vendimi i gjykatës në rastet që jepen për shtrim apo për mjekim të detyruar nëpër spitale, këtë nënkupton që personi paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe nuk mund të bredhi rrugëve apo të jetë në komunitet. Ne nuk jemi institucioni përgjegjës që bën mjekimin e detyruar. Ata bëjnë mjekimin e detyruar, ai nuk do të vuajë dënimin.
Por Prokuroria mund të kishte thënë fare thjesht, për ta çuar në Spitalin e Krujës dhe jo në spitalin tuaj?
Po është një lapsus pra!
Ju thoni që ia ka futur kot Prokuroria?
Për mua është një lapsus. /tvklan.al