“Udha më thërret shtigjeve të reja,/ Vala e një lumi po më thotë eja./ Toka jonë e bukur hapet valë, valë,/ Zërat më urojnë: biro, ardhsh i bardhë.” Të gjithë e kujtoni këngën e famshme të Gaqo Çakos, “Udhët e atdheut më thërrasin”, e cila është kënduar nga dhjetëra këngëtarë të njohur shqiptarë, ndonëse zëri i rrallë i të madhit Gaqo Çako nuk mund të zëvendësohet.
8 muaj pas ndarjes nga jeta e të atit, kantautori i njohur Pirro Çako ishte i ftuar në “Rudina” për të folur për projektin e tij të fundit në bashkëpunim me Xhensila Myrtezajn “Sekreti im”, por edhe për të ndarë me publikun disa nga emocionet më të bukura që jetoi me të atin. I emocionuar dhe i përlotur, Pirro tregoi se ndarja me të atin nuk ishte aspak e lehtë, ndonëse mjekët i kishin lajmëruar se nuk kishte kthim pas: “Ndarja nga prindi është gjithmonë e vështirë…”, – tha kantautori me zë të mekur, në përpjekje për të kujtuar çastet e fundit të agonisë.
Gjithçka la pas, Gaqo Çako ia kishte kujtuar të birit, amanetet për muzikën ia kishte lënë, madje edhe cilat ishin këngët që do të donte të vendoseshin ditën kur do mbaheshin homazhet. Pyetjes së Rudinës nëse kishte ndonjë fjalë të fundit që i tha të birit, Pirro tha se gjithçka ia kishte thënë më herët: “Në fakt, m’i kishte thënë amanetet që kishte për këngët. Madje, edhe këngët që donte të viheshin në homazhe. Në këngën “Udhët e atdheut më thërrasin”, në vargjet “biro, ardhsh i bardhë”, ai e ka thënë “Pirro, ardhsh i mbarë”.
Po ta dëgjojmë me vëmendje, ajo është e thënë pastër “Pirro, ardhsh i mbarë” dhe një nga këngët që ai kishte qejf të vihej në homazhe ishte pikërisht kjo këngë dhe “Fjalët e qiririt”. Këto ishin ato këngët që donte të kishte atë ditë…”
“E kam thënë për ty, që ta kishe si kujtim…” i kishte thënë Gaqo Çako të birit për këtë këngë, ndaj edhe kur u përcoll për në banesën e fundit, familjarët nuk mund ta linin pa ia plotësuar këtë dëshirë që i dedikohej Pirros. Përgjithmonë!