Është dënuar me 25-vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda Klement Çala, pjesë e bandës që në 9 shkurt të këtij viti grabitën një sasi të konsiderueshme parash.
Çala ka qenë i akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milionë eurove bashkë me Admir Muratajn te Bankës Kombëtare Greke në qendër te qytetit te Larises dhe është shpallur në kërkim që prej vitit 2013.
Prokuroria ka dyshime që mund të ketë qenë pjesë e grupit edhe në grabitjet që ndodhën në Rinas, por megjithatë, për të nuk ka ndonjë provë konkrete, vetëm dyshime.
Gjithashtu, Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi.
Ai së bashku me Ilir Kupën dhe Admir Muratajn kaluan kufirin e gjelbër dhe u fshehën në Shqipëri. Mirëpo, Klement Çala është arrestuar më parë në Vlorë, por mbetet mister se si është liruar nga gjykata me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.
Arrestimi në Vlorë më 29 qershor 2015
Klement Çala u arrestua ne Vlore me dt 29 qershor 2015. Në momentin e arrestimit, Çala ishte duke drejtuar një automjet tip “Benz” me targë, AA 447 KO. Ai braktisi mjetin dhe tentoi te largohej me vrap, por u neutralizua nga efektivet e policisë, te cilët kishin rrethuar vendin ku u be ndërhyrja.
Në momentin e kapjes ai iu prezantua Policisë si shtetas kosovar me identitetin Semir Koca, i cili dispononte një Pasaportë dhe një ID, me të njëjtin emër që i përkasin Republikës së Kosovës.
AKUZAT
Klement Çala u arratis nga Burgu i Trikallas në Greqi, së bashku me Ilir Kupën dhe disa persona të tjerë në vitin 2013-ën. Autoritetet Greke e kane shpallur në kërkim Ndërkombëtar pasi e akuzojnë (në mungesë) për:
Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim përfitime financiare me përdorimin dhe mbajtjen materialeve shpërthyese dhe armëve; grabitje me armë në bashkëpunim; vjedhja e objekteve të vlerave të larta nga institucionet financiare; vjedhje/grabitje në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur; tentativë vrasje në kuadër të konkurrencës kriminale në bashkëpunim; etj.
Nëse akuzat e ngritura nga shteti Grek vërtetohen nga autoritetet greke, ky shtetas rrezikon dënimin maksimal të mundshëm “burgim të përjetshëm” për veprat e mësipërme.