Ndërsa shqiptarët janë paraqitur më të paktë nëpër qendrat e votimit, udhëheqësit kryesorë politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha iu lutën shqiptarëve përmes postimeve në Facebook për të rritur pjesëmarrjen.
Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votime deri në orën 16, tre orë para mbylljes zyrtare të votimeve, mbetet më e ulët se sa në zgjedhjet e vitit 2013, ndërkohë që kryeministri Edi Rama shkeli Kodin Zgjedhor duke bërë thirrje të përsëritura për ta votuar, bashkë me udhëheqësin e opozitës Lulzim Basha.
Të dhënat e pjesshme të KQZ thonë se pjesëmarrja deri në orën 16 qe 34.9 për qind, nga gati 43 për qind që pati qenë deri në këtë orë në zgjedhjet e vitit 2013. Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në Qarqet Vlorë e Shkodër, respektivisht 27.6 dhe 29.8 për qind ndërsa pjesëmarrja më e lartë rezulton në qarqet Berat e Dibër, respektivisht 43.5 dhe 43.4 për qind.
Rënia më e madhe e pjesëmarrjes në krahasim me vitin 2013 regjistrohet në Fier, me gati 14 pikë përqindjeje dhe në Shkodër me gati 13 pikë përqindjeje. Në Tiranë, pjesëmarrja në votime deri në orën 16 qe 38 për qind, nga 43 për qind që pati qenë në vitin 2013./ BIRN
Titulli i artikullit është redaksional*