Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka dalë në një prononcim për mediat, pas përmbylljes së orarit zyrtar të zgjedhjeve lokale në 6 bashki të vendit. Gjiknuri falenderoi të gjithë komisionerët e PS dhe u bëri thirrje që të vazhdonin numërimin pa u ndikuar nga deklaratat politike.
Nga ana tjetër i pyetur mbi pjesëmarrjen e ulët, Gjiknuri tha se kjo vinte si shkak i kushteve të këqija atmosferike dhe faktit që qytetarët nuk u kishin dhënë rëndësinë e duhur këtyre zgjedhjeve me mandat 1-vjeçar. Ndërsa si një faktor ndikues, Gjiknuri përmendi edhe përçarjen e opozitës, duke mohuar se kishte një rënie të mbështetjes së qytetarëve për partinë Socialiste.
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri: Nuk kemi pasur asnjë problem zserioz sa i përket administrimit zgjedhor. Dua t’i falenderoj të gjithë ata komisionerë që bënë më të mirën për të ushtruar detyren e tyre si në rastin e Shkodrës për kushtet e këqija atmosferike. Prisnim një pjesëmarrje më të lartë por shkak kanë qenë kushtet atmosferike dhe fakti që këto zgjedhje nuk kishin të njëjtën rëndësi. U kërkoj të gjithë komisionerëve të ushtrojnë detyrën dhe të mos intimidohen nga deklaratat politike. Të vazhdojnë procesin deri në fund sepse natyrisht që do ketë deklarata nga palët politike. Ne besojmë si PS se do kemi një rezultat fitues megjithatë nuk dua të flas para kohe.
Pyetje: Probleme në bashkinë e Vorës për pjesëmarrjen e komisionerëve, sa cënon procesin e votimit?
Gjiknuri: Më vjen keq që është krijuar një tollovi e kotë politike për komisinerët nuk janë lejuar në qëndrën e votimit. Siç është përcaktuar në ligjin zgjedhor që të komisioner duhet të jesh banor i bashkisë përkatëse. Nëse partia nuk është në gjendje të gjejë banorë të asaj zone, kjo nuk e pengon procesin zgjedhor. Më vjen keq që PD është katandisur aq keq saqë nuk gjen dot komisionerë. Megjithatë nuk dua të bëj politikë në këtë ditë.
Pyetje: Shkaqet për pjesëmarrjen e ulët?
Gjiknuri: Përveç kushteve atmosferike të cilat nuk ishin inkurajuese, mendoj se shkak për këtë pjesëmarrje të ulët është edhe fakti i përçarjes së PD që natyrisht ka një lloj ndikimi në ndryshimin e kursit elektoral. Por mbështetja e qytetarëve nuk është ulur për PS, kjo besoj do shihet edhe kur të dalë rezultati, të cilin do e pranojmë cilido të jetë. U bëj thirrje të gjithë partive të pranojnë rezultatin sepse të gjithë e patë që procesi ishte shumë i qetë.