Partia e Lirisë thekson rëndësinë e arsimit si një nga prioritetet kryesore të programit të saj politik.
Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, gjatë një deklaratë sot për mediet tha se një shoqëri e arsimuar është themeli për çdo zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kulturor.
Haxhiu nënvizoi se një nga prioritetet kryesore të partisë është dyfishimi i buxhetit për arsimin.
“Partia e Lirisë, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, ka arsimin dhe mësuesin në qendër të programit të saj politik. Ne besojmë fort se një shoqëri e arsimuar është baza për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kulturor. Qytetarët me nivel të lartë arsimor dhe qëndrime kritike ndaj çdo qeverie janë garancia për një shoqëri demokratike”, tha Haxhiu.
“Partia e Lirisë ka një program shumë konkret për mbështetje të arsimit dhe investimit në kapitalin njerëzor. Ne do të dyfishojmë buxhetin për arsimin. Investimi në arsim dhe kërkimin shkencor do të jetë në nivelin 5% të PBB-së. Do të bëjmë një reformim të thellë të kurrikulave nga ekspertë të fushave përkatëse”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu tha se “mësuesia, tani një degë e braktisur nga studentët, pas 11 majit do të kthehet në degë prioritare”.
Një tjetër aspekt i programit të Partisë së Lirisë, tha Haxhiu do të jetë mbështetja teknologjinë dhe informacionin.
“Inovacioni në Shqipëri do të mbështetet me financim mbi mesataren e Bashkimit Evropian. Sot jemi në kushtet ku vetëm 1 në 5 fëmijë gjejnë akomodim në sistemin arsimor publik. Aleanca për Shqipërinë Madhështore është e vendosur të ndërtojë çerdhe, kopshte dhe shkolla të reja, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të përfitojnë nga shërbimi arsimor shtetëror dhe jo të drejtohen detyrimisht në atë privat”, tha Haxhiu.
“Do të mbështeten financiarisht me 100 euro prindërit që e kanë të pamundur të regjistrojnë fëmijët e tyre në kopshte publike”, u shpreh Haxhiu.
Sipas Haxhiut “objektivi ynë është transformimi i sistemit arsimor, duke synuar formimin e qytetarëve që ruajnë dhe fuqizojnë demokracinë, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat dhe liritë e njeriut”.
“Qëllimi ynë është të formojmë qytetarë që e duan atdheun e tyre dhe janë krenarë për identitetin kombëtar. Më 11 maj, voto për një arsim më të mirë për fëmijën tënd, voto për të ardhmen e Shqipërisë. Më 11 maj, voto për Shqipërinë Madhështore!”, tha Haxhiu.