Me ndjenjën e parehatisë, që nuk e fshinte në asnjë moment gjatë komunikimit live në Fax News, kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, deklaroi se është kthyer sot në zyrën e tij, një javë pas atentatit që iu bë në godinën e Bashkisë.
Edhe se u përpoq të ruante qetësinë në komunikim, Tushe për asnjë moment nuk pranoi që të përgjigjej lidhur me marrëdhënien që kishte me ish-vartësin e tij Gëzim Saraçi, dhe me arsyet që shtynë këtë të fundit, që ti hidhte granatë brenda zyrës së shtetit.
Tushe u shpreh se më shumë se plagët fizike, e kanë lënduar ato që janë shkruajtur në media lidhur me këtë ngjarje të rëndë, e megjithatë tha se do të linte drejtësinë që të fliste në emrin e tij.
“Po patjetër që ndodhem në punë sot, kalova plagë të lehta, dëmtime të lehta, plagë më të rënda janë ato që shkruhen dhe thuhen në media. Drejtësia do të vendosë të thojë fjalën e saj për atë që ka ndodhur.
Unë u falenderoj për telefonatën, por do të jetë drejtësia që do të vendosë lidhur me të gjithë këtë. Nuk kam pasur kontakte me ish-shoferin tim prej shumë kohësh.
Ju lutem, siç iu thashë dhe pak më parë do të jetë drejtësia ajo që do të flasë për të gjitha, ju falenderoj dhe ju uroj një vit të mbarë”, mbylli komunikimin Tushe, pa një sqarim publik, siç do ti kishte hije një të zgjedhuri me votat e qytetarëve.
Atentati ndaj Tushes ndodhi të martën e 31 Dhjetorit, në zyrën e tij, ku mbeti e plagosur më rëndë dhe sekretarja e kryebashkiakut Erisa Qalliu.
Pas ngjarjes ka pasur akuza, veçanërisht nga ana e opozitës, se Saraçi dhe Tushe kanë qenë të implikuar në pazare droge, dhe kjo ka bërë që mes tyre konflikti të degjenerojë në një veprim të tillë.
Edhe pse nuk punonte më si shofer i Tushes, Saraçi figuronte ende në borderonë e Bashkisë së Lushnjes nga ku merrte edhe rrogën, por për të gjitha këto kryebashkiaku refuzoi të komentonte.
(E.K/Faxweb.al)