Në seancën me dyer të mbyllura dhe çuditërisht pa prezencë të lartë të forcave të Policisë, iu rikomunikua masa e rivleresimit “arrest me burg” anëtarit të fisit Çapja në Elbasan, Florenc Çapja të arrestuar tre ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Krasta”, i cili çoi në pranga 10 persona.
Ndërkohë që mësohet se avokati i tij, Neshat Fana kërkoi ndryshimin e masës, gjykatësja Miranda Cekrezi vendosi ta lërë Florenc Capjan në burg. Çapja akuzohet për tentativën e vrasjes së ish-shefit të policisë rrugore, Fadil Mema, 13 vite më parë, janar 2006.
Ndërsa hetimet vijojnë për të mësuar nëse ai ka dorë në vrasjen e Memës në vitin 2015 në Itali. Gjithashtu, sot, gjyqtarja Miranda Çekrezi dha në mungesë masën e sigurisë “arrest me burg” për dy personat e akuzuar si autorë të vrasjes në vitin 2012, të Gentian Beqirit dhe babait të tij, Ervis Bardhi 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan dhe Etien Cani. 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, vijojnë të jenë në kërkim policor, ndërsa përfshirja e tyre si autorë të vrasjes së dyfishtë u zbulua nga hetimet 1 -vjeçare.
Prokuror i cështjes ishte Ritvan Sukaj. Nga përgjimet e kryera që zbardhën disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit, u zbulua edhe një skemë korrupsioni në Autoritetin e Medias Audiovizive në Tiranë. Kujtojmë se një ditë më parë Gjykata e Elbasanit me gjyqtare Idush Maliqi, vendosi masën e sgurisë ‘arrest shtëpie’ për gazetaren Suela Mustën, anëtare e AMA-s dhe Adem Boriçin, pronari i i televizionit privat kabllor “Brado” të cilët akuzohen se kanë ndikuar në dhënien e licencës së transmetimit kabllor të fisit Çapja si dhe në disa persona të tjerë në Tropojë.
Ndërkohë, Bledar Karaj administrator i tv kabllor, Andrea Nathanaili ish-këshilltar juridik në AMA, Izmir Hajdari, Artan Drazhi dhe Ervin Tahiri Pronar i TV kabllor “Tata Junior” në Tropojë, janë lënë në burg.