Një punonjës i gardës është arrestuar nga ana e Policisë për shkak se ka plagosur me armën e shërbimit një 22-vjeçar, bashkëmoshatarin e tij.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën Ramadan Çitaku në kryeqytet, ku Florjan Hysa, 22-vjeç, ka qëlluar me armë në drejtim të Lorenc Doçit.
Mësohet se Doçi, i cili mbeti i plagosur është dërguar në spitalin e Traumës ku ndodhet nën kujdesin intesiv të mjekëve, pa të dhëna nëse e ka kaluar rrezikun për jetën.
Njoftimi i policisë:
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Krimeve ndaj Jetës në D.V.P Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin F.H., me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, trup shërbimi.
Arrestimi i 22-vjeçarit u krye pasi në rrugën “Ramadan Çitaku” në kryqëzim me rrugën e “Balshajve”, ai dyshohet se ka plagosur për motive të dobëta me armën e shërbimit shtetasin L.D., 22 vjeç banues në Kodër Kamëz, i cili është dërguar në SUT për trajtim mjekësor.
Materialet në ngarkim të tij do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit F.H., për veprën penale, “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”.
(E.K/Faxweb.al)