Policia e Shkodrës ka dhënë detaje për plagosjen e një të riu gjatë ditës së djeshme brenda në qytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 16.40 pranë “Radio Shkodrës”, tek ish “5 Heronjtë”., ku u plagos Eglion Zuna.
Të arrestuar janë Adam Ademi, 21 vjeç, Arben Ademi, 54 vjeç, dhe vetë i plagosur Eglion Zuna, 26 vjeç.
Duke shpjeguar dinamikën e ngjarjes, policia thotë se Zuna ka qënë duke udhëtuar me mjetin e tij tip Benz në shoqërinë e Adam Ademit dhe një shtetase të huaj.
Autor i ngjarjes dyshohet të jetë Adam Ademi, i cili më pas është larguar me automjetin duke penguar zbardhjen e të vërtetës. Ndërsa arma pistoletë TT, me të cilën është kryer plagosja është e vetë Zunës, dhe është sekuestruar në hotelin “Redbricks”, në pronësi të babait të Adamit, Arben Ademit.
Policia gjeti në vendngjarje një gëzhojë që u sekuestrua si provë materiale. Zuna është në Tiranë në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes ndërsa dyshohet paraprakisht se plagosja ka ndodhur aksidentalisht. (E.K/SHUPLAKA)