Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin e shënuar pasditen e djeshme në Tiranë, ku mbeti i plagosur shtetasi Dejvis Rrustemaj 26 vjeç, nga Tropoja por me banim në Tiranë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20 pranë xhamisë në rrugën “Xhanfize Keko”.
Nga informacionet e deritanishme, referuar një gazete të përditshme, mësohet se po hetohet pista e hakmarrjes pas dyshimeve të grupit hetimor. Burime të policisë janë shprehur se 26-vjeçari që mohoi të kishte konflikte me ndonjë njeri, ka qenë më parë i dënuar për “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”.
Po hetohet pista e një hakmarrje të mundshme lidhur me një ngjarje të ndodhur në 2015-ën, ku shënjestra e atentatit në bashkëpunim me një tjetër shtetas kanosën me armë A. Fishekun, djalin e një biznesmeni nafte për një borxh prej 1.000 euro që ky i fundit nuk e kishte shlyer.
(XH.A/SHUPLAKA)