Tre agresorët që plagosën me arme pasditen e sotme Bledar Oshtunin e Partisë Demokratike në qytetin e Kavajës janë punonjës të Bashkisë.
Gazetarja e Fax News, Kloida Gjuzi raportoi se në orët e vona të pasdites janë përplasur simpatizantë të PD-së dhe PS-së, dhe agresorët kanë zbritur nga një makinë me xhama të zinj e më pas kanë qëlluar.
I plagosur është shtetasi Bledi Oshtuni, 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë agresorët janë 3 persona, Ndricim Jonuzi, Markel Shtylla, Dorian Troplini.
Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri ka qenë person i shpallur në kërkim dhe është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një nga vendet e BE-së.
Ai u arrestua në mars të vitit 2014 nga policia e Kavajës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi kërkohej për vrasje në Torino, të Italisë.
“Ky shtetas ka qenë i kërkuar ndërkombëtar nga Interpol Roma me datë 29 Maj 2007, të Gjykatës së Torinos në Itali, e cila e ka dënuar me 8 vjet burg për veprën penale të vrasjes“, ka njoftuar policia asokohe.
Ende nuk është e qartë se pse Jonuzi endej i lirë rrugëve të Kavajës, ndonëse duhet të ishte prapa hekurave për akuzën e vrasjes.