Policia e Durrësit ka zbardhur plagosjen e ndodhur dy netë më parë në qytet, dhe ka arrestuar autorin e dyshuar.
Burime bëjnë me dije se autori i plagosjes së 25-vjeçarit Ilges Spaneshi është Hamdi Llana, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një sherri për motive të dobëta.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 08.08.2021, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 25-vjeçar.
Kapet dhe ndalohet autori i kësaj ngjarje, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur ne tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore profesionale, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit H. Ll., 31 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, më datë 08.08.2021, në orën 23:40, në lagjen nr.18, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin I. S., 25 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë. 25-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.