Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Bardhaj, në Shkodër. Gazetarja e ‘FaxNews’, Vilma Voçi raporton se dy personat e plagosur janë dy vëllezërit Marjan dhe Hot Doçi, përkatësisht 23 dhe 30-vjeç.
Bëhet me dije se dy vëllezërit ishin duke udhëtuar me një automjet pa targa, në momentin kur janë sulmuar.
Ndërkohë mësohet se dy të plagosur janë dërguar në Spitalin e Shkodrës dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Ajo çka bëhet me dije është se atentati ka ndodhur në një fshat të qytetit të Shkodrës dhe në vendin e ngjarjes nuk ka kamera sigurie. Referuar dhe orës në të cilën ka ndodhur ngjarja, përkon edhe me orën policore ç’ka e bën edhe më të vështirë identifikimin e autorëve, pasi në vendin e ngjarjes nuk ka pasur persona të tjerë të rastësishëm.
Dy vëllezërit i përkasin familjes shkodrane, Doçi, të cilët janë emra të lakuar për policinë, por edhe për operacionet e OFL-së, pra mendohet se kjo familje ka lidhje edhe me krimin e organizuar.
Pista kryesore ku policia po heton është ajo e konflikteve që dy vëllezërit Doçi mund të kenë pasur me ndonjë person.
Ndërkohë ende nuk dihet sa të afërt ishin dy vëllezërit me të afërmin e tyre Gentian Doçi i cili akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në Kamëz.
Në vendngjarje ndodhen policia e Shkodrës, Forcat Shqiponja dhe grupe të FNSH Shkodër, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(R.G/Faxweb.al)
Discussion about this post