Detaje të tjera mësohen nga ngjarja e djeshme në Ballsh të Fierit, ku mbetën të plagosur një burrë dhe një grua. Çifti Edmond dhe Ludmilla Xhaferaj ndodhen në spitalin e Fierit në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ka nisur mbrëmjen e kaluar ku Lulëzim Sina ka shkuar në shtëpinë e prindërve të ish-bashkëshortes, dhe i ka qëlluar ata me armë zjarri, Edmondin me tre plumba, ndërsa Ludmillën me dy.
“Rreth orës 20:40, në lagjen ‘5 Shkurti’ Ballsh, brenda në banesë janë plagosur me armë zjarri bashkëshortët E.Xh., 53 vjeç, dhe L.Xh., 52 vjeçe, të cilët ndodhen në sallën e kirurgjisë së spitalit Fier. Nga hetimet e policisë rezulton se autor i dyshuar i ngjarjes është ishdhëndri, shtetasi L.S., 35 vjeç, banues në Dukas, Patos.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, gjithashtu është organizuar puna për kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas një të përditshme shqiptare, Sina kishte jetuar me vajzën e çiftit që plagosi prej pesë vitesh në Amerikë, ku kishin shkuar përmes llotarisë amerikane.
Mirëpo 35-vjedëshmive në polici, pas kthimit midis çiftit kishin nisur konfliktet dhe ata vendosën të divorcohen. Por Sina akuzon prindërit e ish-gruas, si shkaktarë për divorcin. Kështu, 35-vjeçari mendohet se është paraqitur mbrëmë në shtëpinë e tyre i dehur, dhe pas një debati të ashpër ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ish-vjerrin, e më pas edhe ish-vjehrrën.
Ndërsa ish-bashkëshortja për fat të mirë arriti t’u shpëtonte plumbave dhe ka kërkuar ndihmën e fqinjëve për të dërguar në spital prindërit e plagosur. Ndërsa Sina u largua nga vendngjarja menjëherë pas sulmit. (D.D/Shuplaka)