Pas plagosjes së katër personave nga pronari i një lokali në Laprakë, ka ardhur dhe reagimi i drejtorit të Policisë së Tiranës.
Në një deklaratë për gazetarët, Ardi Veliu tha se dy persona janë shpallur në kërkim për ngjarjen në Laprakë.
Ai tha gjithashtu se mes palëve ka pasur një konflikt një ditë më parë dhe të plagosurit e autorët janë takuar sot. Takim që sipas burimeve policore ka ndodhur për të sqaruar konfliktin e djeshëm, rezultoi me plagosjen e katër personave.
Veliu u tregua diskret kur u pyet lidhur me shkaqet e konfliktit dhe emrat e autorëve në kërkim. Por, burime bëjnë me dije se një nga autorët e shpallur në kërkim është pronari i lokalit ku lindi sherri këtë të premte, Arben Seferi. Dyshohet se ai ka shkrepur këmbëzën duke plagosur katër të rinjtë, të cilët ndodhen në spitalin e Traumës, sipas burimeve spitalore, jashtë rrezikuar të për jetën.
Alarmi për të shtënat te Policia është dhënë rreth orës 18:40 dhe në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca. Sipas Policisë së Tiranës, nga verifikimi paraprak, ka rezultuar se:
Në rrugën “Gjergji Legisi”, pas një konflikti në një lokal, janë plagosur me armë zjarri shtetasit: E.L., 31 vjeç, B.M., 31 vjeç, B.K., 33 vjeç, dhe A.B., 46 vjeç.
(S.SH/Shuplaka)