Një plagosje me armë zjarri është regjistruar ditën e sotme në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve të para, një 40-vjeçar, i identifikuar si Besmir Gorgea, është qëlluar me armë zjarri ndërsa ndodhej në lëvizje.
Pavarësisht plagës së marrë, Gorgea ka arritur të shkojë vetë deri në një stacion policie, ku ka kërkuar ndihmë nga efektivët për t’u transportuar në spital. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhet aktualisht në sallën e operimit. Gjendja e tij shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorin e mundshëm të sulmit. Deri tani nuk ka persona të ndaluar.
Ky është një lajm në zhvillim. Do të vijojmë të raportojmë me detaje të reja sapo të jenë të disponueshme.