Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e tretë të Komitetit të Rindërtimit, Kryeministri Rama ka premtuar se do ta shndërrojë Laçin në një qendër të lakmuar turistike dhe ekonomike.
Sipas tij ky qytet mbledh çdo vit së paku 3 milionë turistë, pasi ata zgjedhin t’i bashkohen peligrinazhit.
Rama ka treguar se me Laçin do të veprohet si me vendet e tjera Korçën, Tamarën apo Pukën.
‘Një gjë dua ta theksoj një herë se mendoj se është e rëndësishme. Duke marr shembullin e Laçit, i cili ka një potencial të madh. Po të kemi parasysh Laçin është një pikë që mbledh 3 milion turistë të huaj nga jashtë. Kur flas nga jashtë nuk them ata që mendohen por ata që shkojnë në pikën e pelegrinazhit.
Prandaj ndërhyrja do të sjell energji, si ato ndërhyrjet që kemi bërë në vendet e tjera duke përmendur Korçën, Tamarën, Pukën. E njëjta gjë do të bëhet, duke u angazhuar edhe shumë familje që merren me biznes’, tha Rama.
Turqia ka shprehur interese për të ndërhyrë në këtë zonë, për ndërtimin e të paktën 500 banesave pas shkatërrimeve masive të tërmetit të 26 nëntorit.
Laçi ishte një nga 3 zonat më të prekura nga tërmeti i shkallës 6.4 Rihter i cili pasoi me 51 viktima, mbi 900 të plagosur dhe qindra e mijëra shtëpi të pabanueshme.