Ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliajn po zhvillon dëgjesën me këshilltarët bashkiak, anëtari i Këshillit Bashkiak të PD, Akil Kraja, ka deklaruar se Veliaj ka ftuar në këtë dëgjesë vetëm këshilltarët e majtë.
“Nuk jam i ftuar, ka mungesë transparence për një problem të përditshëm të shqiptarëve. Bëri një inskenim Veliaj të minutës së fundit, vetëm me këshilltarë të majtë, që mos ketë kundërshtime,” tha Kraja, ndërsa ishte i ftuar në rubrikën “Opinion”.
Ndër të tjera, Kraja tha se ky projekt që bashkia e Tiranës pret të vërë në zbatim, pasuron disa kontrata klienteliste dhe jo transparente.
“Nëse një familje shqiptare paguan 20 mijë lekë të vjetra të faturës së UKT, tani me planin e ri të Veliajt, uji shkon 28 mijë lekë të vjetra. Do paguajë qytetari 8 mijë lekë më shumë. Është rritur çmimi i energjisë elektrike, janë rritur taksat e gjelbërimit, është rritur çmimi i transportit publik, është shtuar dhe taksa e arsimit, të gjitha mbi kurriz të familjes shqiptare. I bie që çdo familje të paguajë në muaj 100 mijë lekë taksa. Ujë, transport, parking, pastrim, mjedisi, dhe tani vijnë me buxhet fantazëm që s’e dijmë nga vjen. 180 milionë euro investime kot. As ata nuk e dinë çfarë po bëjnë. 180 mln euro strategji pa element për ujin. Janë qindra milionë euro të shpenzuara për Tiranën, por kur shohim s’ka asnjë ndryshim në qytet, qytetarët nuk shohin ndryshim. Harxhohen para për palma, lule për tarracën e Bashkisë. Kërkojmë më shumë transparencë dhe menaxhim më të mirë. Planet e Veliajt pasurojnë disa kontrata klienteliste jo-transparente,” tha Akil Kraja. (D.D/Shuplaka)