Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në sesionin “pyetje-përgjigje” ka biseduar me qytetarët në rrjetet sociale, ndërsa foli për disa çëshjte, mes të cilëve dhe plani që ka ai në funksion të përkrahjes dhe mbështetjes ndaj rinisë. Ai theksoi se PD-ja do t’ia dalë mbanë, që Shqipërinë ta bëjë një vend të jetueshëm për qytetarët pa asnjë dallim.
“Ne do t’ia dalim që ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin e shqiptarëve. Plani për rininë dhe arsimin janë të lidhur pazgjidhshmërisht. Sot janë vendosur një seri kufizimesh për të rinjtë që të ndjekin arsimin e lartë. Mesatarja e vendosur për universitete është mesatare që favorizuan gjimnazistët e Tiranës dhe qyteteve të tjerë të, dhe përjashton të gjithë gjimnazistët e Shqipërisë periferike, por që përbëjnë një shumicë shqiptarësh. Me këto rroga qesharake, askush nuk mendon të ndërtojë të ardhme këtu. Një njeri që fillon punën sot, i duhen 60 vjet për të blerë një apartament në Tiranë. Krijimin e kushteve për shkollimin masiv të rinisë, por dhe punësimin e tyre, një përpjekje e madhe për lehtësimin e jetës së tyre qoftë familjare dhe në biznes, do të jetë realitet. Do ketë një kuadër ligjor për bizneset e të rinjve. Do ketë kuadër ligjor për kreditimin e tyre, për financimet e projekteve të tyre dhe bizneseve të vogla dhe kreditë për strehimin e tyre. Kushti i të gjitha kushteve është që rinia shqiptare të qëndrojë në Shqipëri. Ajo duhet të derdhë energjinë e vet në zhvillimin e këtij vendi”, tha Berisha.