Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar planin urbanistit pas rreth 7 orësh diskutimesh.
Megjithatë, plani është miratuar vetëm me votën e anëtarëve të mazhorancës, pasi ata të opozitës kanë votuar kundër.
Kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, kërkoi të hiqen nga axhenda e diskutimeve plani urbanistik dhe buxheti, por kryetarja e grupit të mazhorancës e kundërshtoi.
“Janë zbatuar të gjitha pikat me rigorozitet. Në emrin tim dhe të grupit të PS jemi kundër këtij propozimi”, tha kryetarja Klodi Ferhati.
Sipas opozitës, ky plan është abuziv për shkak të kalimit të tij pa dëgjesa publike, pa konsultim me qytetarët e Tiranës, në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshtim me ligjin.
Këshilltarët e Partisë Demokratike thonë se 3 mijë faqe plan urbanistik do të diskutohen vetëm për 5 ditë për mijëra banorë të Tiranës, çka shton dyshimet për abuzim dhe aferë të pastër korruptive me klientët e ngushtë të Veliajt. (D.D/Shuplaka)