Një konflikt për shkak të një femre për pak mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda mes katër personave në Kamëz. Policia ka mundur të arrestojë një prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Shkëlzen Hajdaraj, 23 – vjeç nga Paskuqani, i dënuar me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje, u vu në pranga nga Komisariati i Policisë Nr.5, pasi në bashkëpunim me Armando Nikën dhe Julian Sulejmanasin, kanë kërcënuar me armë, 18-vjeçarin me inicialet E. K., banues në Kamëz.
Shkak për konfliktin mësohet të jetë bërë pretendimi i Armando Nikës, se i dëmtuari kishte ngacmuar herë pas here të dashurën e këtij. Për këtë shkak të enjten, Julian Sulejmanasi, telefonoi të dëmtuarin me incialet E. K., duke e kërcënuar dhe i kërkuar takim.
Pasi janë takuar, Julian Sulejmanasi ka ardhur me mjetin tip “Volkswagen”, së bashku me shtetasit Armando Nika dhe Shkëlzen Hajdari dhe ka vazhduar kërcënimet e tij kundrejt të riut. Në debat e sipër, personat kanë nxjerrë një armë dhe kanë qëlluar në ajër, duke kërcënuar adoleshentin. Pas kësaj, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shkëlzen Hajdaraj njihet nga policia si person me precedentë penalë, i dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje. (A.R/SHUPLAKA)