Besnikët e lumit Shkumbin as këtë vit nuk i kanë munguar turizmit lumor. Mes Elbasanit dhe Librazhdit, në fshatin Mirakë, qytetarë të moshës së tretë të organizuar në grupe kanë zgjedhur ti shpëtojnë temperaturave përvëluese duke u “strukur” pranë ujërave të lumit Shkumbin. Thonë se prej më shumë se një dekade pushojnë në këtë vend dhe një nga arsyet që e zgjedhin janë kushtet ekonomike. Një lojë me domino, ajër i freskët, ushqime të marra nga shtëpia janë disa fragmente nga e përditshmja e pushuesve. Një pjesë e tyre thonë se nuk lahen në Shkumbin pasi i druhen ndonjë infeksioni , por e frekuentojnë për freskinë që ka zona.
Por ka të tjerë që peshkojnë dhe lahen në lumë. Ata jo vetëm që nuk i frikësohen efekteve anësore, por ftojnë qytetarët që nuk kanë mundësi të pushojnë në bregdet tu bashkohen.
Një nga zërat më kritikë i cili shpesh ka ngritur zërin për ndotjen e lumit Shkumbin ambientalisti Ahmet Mehmeti shprehet për gazetaren Entela Duka, kundër shfrytëzimit të ujërave të lumit për plazh.
Ahmet Mehmeti: Do të ishte mirë që lumi Shkumbin të shërbente edhe për t’u larë, për t’u freskuar.
Mirëpo me sa shohim ne, shoqëria shqiptare për të pastruar ujin e lumenjve, për t’i mbajtur të pastër ashtu siç i ka dhënë natyra. Ne derdhim në to, të gjitha mbeturinat, që nga mbetjet urbane, ujërat e zeza dhe industriale. Ne i jemi sulur Shkumbinit me të gjitha forcat dhe mënyrat për ta bërë të papërdorshëm. Shkumbini është i pajisur me bukuri të rralla, por nuk mund të përdoren për të larë, pasi mund të infektojë lëkurën dhe organet e tjera. Bëhet një burim i rrezikshëm për shëndetin. Sot është një ndotje e madhe dhe për tokat që ujiten me këtë ujë, sidomos tani në verë, kur uji pakësohet dhe shtohet përqendrimi i ndotësve. Është një burim rreziku.
Z.Mehmeti kërkon të tregohet kujdes edhe me frekuentimin e liqeneve, pasi në këto të fundit shpesh krijohen gropa thithëse të cilat mund të rezultojnë fatale për qytetarët.
Vija lumore e Shkumbinit ofron një peisazh mbreslënës. Turizmi lumor do të kishte një tjetër qasje nëse do të ishte bërë mjaftueshëm për të mos i ndotur ujërat . Gjithsesi zhvillimi i këtij sektori i shërben dhe bizneseve që funksionojnë përgjatë gjithë rrjedhës së lumit.
Discussion about this post