Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar me tone të ashpra, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi pas mesnate në Velipojë, ku si pasojë e përplasjes me armë mes dy familjeve, 4 persona u vranë dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur.
Meta shkruan se këto ngjarje në mes të sezonit turistik dhe në zona e sheshe publike, kanë rritur pasigurinë mes qytetarëve, dhe vënë ndjeshëm në rrezik jetët e tyre. Sipas Metës të gjithë përgjegjësit duhet të vendosen përpara hetimeve të thella, të të gjitha rrethanave.
Postimi i Metës:
Përplasja me armë zjarri në Velipojë, me 4 viktima dhe 2 të plagosur, është një tjetër ngjarje tronditëse, që kërkon hetim të plotë të rrethanave dhe shkaqeve.
Prej kohësh i kam bërë thirrje, në mënyrë të vazhduar, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte, me qëllim parandalimin në kohë të këtyre veprave të rënda penale.
Konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.
Plazhet dhe qendrat e qyteteve tona nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”. Ndaj në këtë situatë, që duket se ka dalë jashtë kontrollit dhe që çdo ditë prodhon fatkeqësisht viktima, secili autoritet i lartë shtetëror duhet të mbajë përgjegjësitë e tij të detyrës dhe të heqë dorë nga propaganda cinike, që nuk mund të mbulojë të vërtetat, që i shohim të gjithë.
Rendi dhe siguria publike është dëmtuar seriozisht dhe kërkojnë masa të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.
Bilanc lufte, është ajo që ka sjellë përplasja me armë pas mesnate në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona, dhe u plagosën dy të tjerë, pas sherrit për shezllonet dhe hapësirën e lokaleve.
Viktima nga plumbat e armës kanë ngelur Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli.
Përplasja ka nisur fillimisht me fjalë mes viktimave, dhe më pas ka degjeneruar në përplasje armësh.
Kujtim Ferracaku është pronari i hotel “Fantazia” në Velipojë, dhe është konfiktuar me pronarët e lokalit “Gocaj”, ku kanë mbetur të vrarë nga 2 persona të secilës palë, ndërkohë që makthi i krismës së armëve duket se do të shoqërojnë për një kohë të gjatë të gjithë pushuesit që kanë qenë në Velipojë.
Kujtim Ferracaku, është babai i Arjan Ferracakut, i cili është vrarë po ashtu në një atentat në Shkodër, ndërsa Hasan Ferracaku që ka mbetur i plagosur është vëllai i tij.
(E.K/Faxweb.al)