Tërheqja e mbetjeve nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Bashki është shndërruar në shqetësim për banorët e Njësisë Administrative në Shushicë të Elbasanit.
Para një muaji ky shërbim ofrohej nga privati, kundrejtë një pagesë simbolike. Por në momentin që ky shërbim i ka kaluar pushtetit lokal , mjetet që kanë për detyrë tërheqjen e plehrave në vend që t’i tërheqin ato dy herë në javë paraqiten në zonë jo më shumë se katër herë në muaj.
Në këto kushte banorët detyrohen t’i dërgojnë mbetjet e prodhura prej tyre në kontenierët që ndodhen përgjatë aksit nacional Elbasan-Gjinar.
Duke qënë se bëhet fjalë për një komunitet të populluar kontinierët të cilët janë të paktë në numër nuk e përballojnë dot intensitetin e plehrave, duke bërë që këto të fundit të derdhen në tokë.
Banorët e fshatit Hajdaran dhe Vreshtan shprehen me shqetësim për këtë fakt. Ata thonë se ndonëse kanë kërkuar ndihmë te organet kompetente nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.
“Janë shumë shqetësuese. Makina e pastrimit rrallë herë vjen. Unë kam mbeturina dhe paguaj makinën. Kemi vajtur te kryeplaku, nuk kanë gjetur zgjidhje. Ka kosha por nuk na plotësojnë nevojën. Duhet venosur mirë nga këshilli i komunes dhe fshatit . Ja nuk ka kosh këtu. I mbajmë qeset e mbeturinave në shtëpi” -kanw thënë banorët.
Sipas banorëve detyrohen që me raste të paguajnë para nën dorë vetëm që mjetet që kanë për detyrë tërheqjen e plehrave tua marrin në shtëpi, sikundër ky shërbim ofrohej më herët nga sektori privat.
Fax Neës kontaktoi edhe më Kryetarin e Njëisisë Administative Shushicë për këtë problematikë, por ky i fundit nuk shfaqi dakordësinë për tu prononcuar mbi ndotjen në zonë.