“Diktatet pedagogjike nuk ngrihen mbi të pavërtetat”, kjo është fjalia me të cilën bashkia e Korçës iu përgjigj deputetes demokrate Eleina Qirici, lidhur me denoncimin e saj për fasadat e ngritura në këtë qytet dhe për ndotjen e lumit të Korçës.
Mirëpo Qirici nuk ndalet me kaq. Deputetja demokrate i kundërpërgjigjet për së dyti bashkisë duke thënë se plehrat që mbytin qytetin nuk ka Zot t’u vendosë maskë.
“Po u them se Parlamenti nuk është guacka as e z.Pendavinji, as guacka ime apo e të tjerëve të zgjedhur me votën e popullit. Nuk është leksion të fotografosh plehrat që keni grumbulluar ju dhe t’jua servirësh juve që të zgjoheni dhe çoheni. Ju bëj me dije se nuk kam demaskuar asgjë, sepse këtyre pamjeve të mjerimit dhe plehrave që mbytin Korçën nuk ka qënie mbi tokë dhe Zot në qiell që mund t’u vendosë maskë.”, deklaron deputetja.
Qirici shton se ajo foli përmes 1 fotoje 1 mijë fjalë, ndërsa bashkia tha 1 mijë fjalë për 1 vepër të munguar, ndërkohë që shton një më një se çfarë nuk ka bërë institucioni në fjalë me në krye Sotiraq Filon.
REAGIMI I PLOTË I DEPUTETES
Diktatet e pushtetit nuk mund të ngrihen mbi plehra.
I drejtohem Bashkisë Korçë, drejtuesve të saj, sepse nuk besoj se administrata e saj përqafon reagimin e turpshëm ndaj një shkrimi ku unë bëj publik një problematikë evidente. Po u them se Parlamenti nuk është guacka as e z.Pendavinji, as guacka ime apo e të tjerëve të zgjedhur me votën e popullit. Nuk është leksion të fotografosh plehrat që keni grumbulluar ju dhe t’jua servirësh juve që të zgjoheni dhe çoheni. Ju bëj me dije se nuk kam demaskuar asgjë, sepse këtyre pamjeve të mjerimit dhe plehrave që mbytin Korçën nuk ka qënie mbi tokë dhe Zot në qiell që mund t’u vendosë maskë.
Ju drejtues të Bashkisë pozicionin e deputetit e shikoni si karrige, unë e shikoj si detyrë dhe obligim. Nuk mbaj asnjë karrige, por padyshim që mbart një obligim madhor. Dhe meqë në angazhimet e shumta për tendera dhe çudira të tjera nuk e keni ndjekur jetën dhe aktivitetin tim parlamentar, ju bëj me dije se për këtë është në dijeni z.Peleshi dhe mund ta pyesni, për ato dhjetëra fjalë të miat nga foltorja e legjislativit. Mund t’i drejtoheni edhe burimeve të tjera të informacionit për të marrë ndonjë të dhënë më shumë. Ju deklaroj gjithashtu se është ende shpejt për të shkuar deri tek zgjedhjet, si për ne ashtu edhe për ju. Vazhdoni punën, mos numëroni muaj dhe ditë, se shkurtoni jetën.
Korça prej vitit 2006 dhe deri në vitin 2013 ka marrë investime reale, fonde që i ndryshuan fytyrën, formën dhe trajtën, e bënë një qytet që tejkaloi kërkesat bazike dhe që sot mund të ecte fuqishëm nëse do të kishte një Pushtet Vendor të qënë dhe të aftë.
Një foto, 1 mijë fjalë, një foto një mësim më vete. Kështu duhet ta shikoni.
Por, jeni ndoshta në marramendje nga rrodhani i institucioneve në Korçë.
Drejtues të Bashkisë ju bëj me dije se projekti për Landfill-in e Maliqit filloi nga Qeveria Berisha, keni 4 vjet që endeni dhe zvarriteni dhe nuk po shohim gjë në dritë. A po, do ta inaguroni në qershorin elektroral. E kuptueshme.
Keni 10 vjet në krye të Bashkisë dhe 10 vjet mbi malin e plehrave dhe bëni sehir, apo nuk e di dhe unë se çfarë. Korçarët e dinë që jeni të vonuar tani më dhe krejtësisht të paaftë. Dhe ju kujtoj se harroni ju, që kemi 10 vjet që thithim tymin e plehrave që digjen, si dhe keni 10 vjet që keni lënë dhjetra familje në mes të plehrave dhe qindra të tjera pranë tyre. Keni shkuar ndonjëherë andej, apo nuk shkon pedonalja deri atje?!
Ndërsa këtë projektin e mbetjeve të riciklueshme në burim, e dëgjoja, nga ish kryetari i Bashkisë, sot dyshi në Qeveri, prej vitit 2007, që e deklaronte nëpër mbledhje dhe aktivitete. 10 vite më pas flisni për të njëjtën gjë. “Ju lumtë!” Këto për ju quhen arritje.
Sa për librat që kam lexuar unë dhe nocionet që kam hasur ndër to, janë të shumta. Por ju kujtoj se kur të djathtët e sotëm në Parlamentin Shqiptar në vitet 90’ mbushnin auditoret e Universitetit të Tiranës dhe merrnin dije, disa të majtë sot “të rilindur” i braktisnin ato dhe preferonin emigrimin, në Gjermani, Francë, Itali etj. Gjithësesi, e drejta e njeriut të zgjedhë, por jo të japë konsiderata vend e pa vend. Dhe teksa riciklimin nuk e shikojmë në praktikë, por na e ofroni vetëm me fjalë, na detyroni të gjithë korçarëve të mbetemi vetëm me shijen e nocionit.
Korçarët i dinë shumë mirë investimet e bëra në Korçë nga qeveria jonë në periudhën 2005-2013, investime që i prekim, shohim, përdorim dhe janë në funksion të të gjithëve. Nuk më vjen çudi që edhe t’i mohoni, jeni të mësuar në mohime, por shiritat si Pushtet Vendor i keni prerë së bashku me ne, teksa vepra apo investimi i mbetej qytetit dhe korçarëve. Qeveria Berisha i dha fondet.
Sa për autogol, edhe këtu jemi kampionë dhe Skënderbeu tashmë është një tjetër arritje e jona. Mirë është të mos e merrnit për shembull, sepse në kohën tuaj, disa studentë po më informojnë që e kishit çuar në kategorinë e tretë skuadrën e futbollit.
Drejtues të Bashkisë, vazhdoni punën dhe përpara fotografive mos u shtangni, janë puna juaj “e palodhur”!
Unë thashë mes 1 fotoje 1 mijë fjalë, juve thatë 1 mijë fjalë për 1 vepër të munguar.
“Ha moj gunë” tha Nastradini. Mbreti i vlerësonte mendjen, shërbëtorët e mbretit gunën.
Mjaft më me histori fasadash, sepse mbreti janë korçarët. (D.D/Shuplaka)