Kandidati i Partisë Demokratike për kryebashkiak në Tiranë, Roland Bejko në një intervistë për Fax News, është shprehur se Sali Berisha ka përçarë PD-në dhe mban në pushtet Edi Ramën me ekzistencën e tij në politikë.
Teksa u pyet nga gazetarja Rovena Neziri, se pse PD zyrtare nuk ka kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit, Bejko u shpreh se përfaqësues të kësaj force politike nën siglën e të cilës garon, kanë shpresuar deri në fund që PD mund të dilte bashkë në zgjedhjet e 14 Majit.
Bejko nga ana tjetër hodhi akuza në drejtim të Ramës, Metës dhe Berishës, që sipas tij bashkëpunojnë nën rrogoz, duke favorizuar njëri tjetrin, qoftë me leje ndërtimi, qoftë me presionin e pushtetit.
Sa i takon akuzavese PD zyrtare do të menaxhojë miliona lekë të alokuara nga KQZ, Bejko u shpreh se deri tani ato fonde nuk janë dhënë, se fushata e tij është bërë pa kosto, dhe me ndihmën e dashamirësve të Partisë Demokratike.
“Sali Berisha e ndau PD në disa pjesë, shpresuam deri në ditën e fundit që të kishte një zgjedhje, për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Dhe më tej të trajtohej analiza e brendshme e PD, kjo shkaktoi mungesën e kandidatëve në 61 Bashki. Rama është i kënaqur që ka përballë Metën dhe Berishën, aq sa mund ta trashëgojë pushtetin edhe te Zaho.
Sa kohë që të qëndrojë Berisha me Metën në politikë, janë bashkë me Edi Ramën, që të mbajnë staturën politike. Akuzat e Berishës janë retorikë politike, asnjë prej nesh nuk është i akuzuar për korrupsion, kemi shitur apo blerë votat, apo kemi lidhje me krimin e organizuar. Ne kemi qenë në të njëjtën parti, dhe secili prej nesh në PD nuk është implikuar në korrupsion, kujt ti them unë që është i korruptuar? Flutura Açkës, Gazment Bardhit, Orjola Pampurit?
Berisha po bën një fushatë luksi ka kapur të gjitha mediat e mëdha. Të tre ata janë bashkë, është pushtet i presionit, pushteti i kontrollit, dhe në kërë mënyrë ata shtojnë pasurinë e tyre. Berisha shan Veliajn gjatë ditës, natën familjarët e tij marrin leje ndërtimi nga bashkia e Ramës.
Berisha i ka të gjitha studiot, dhe kur na ftojnë e bëjnë për detyrim ligjor. Edhe sot që jemi në fushatë ne nuk kemi marrë paratë nga KQZ, se del Berisha dhe thotë që ne kemi marrë paratë. Deri tani ne po bëjmë fushatë me pare xhepi, nuk kam para që të paguaj studio televizive. Këta po paguajnë 200 milionë lekë për komisionerët. Fondet e KQZ do të duhet të ishin lëvruar tani”, u shpreh Bejko.
Bejko ftoi demokratët që të mos votojnë për listat e këshilltarëve të koalicionit Bashkë Fitojmë, pë të cilat tha se janë përzgjedhur dhe diktuar nga Ilir Meta.
(E.K/Faxweb.al)