Nga Holta Heba
Ky virusi i padukshëm, që qenkësh më i frikshëm se ai i dukshmi, i cili vjen me bujë teksa paralajmëron ardhjen prej së largu, ka ndikuar shumë në gjendjen e brendshme tonën por edhe në marrëdhënien mes njëri-tjetrit.
Jemi mësuar që përditshmërinë tonë ta jetojmë nëpërmjet ndërveprimit të ngushtë me rrethin familjar, me bashkëpunëtorët, me audienca të ngushta dhe me audienca të gjera. Jemi mësuar të hyjmë në marrëdhënie me të gjithë në mënyrë që të komunikojmë ndjenjat, emocionet dhe qëndrimet. Jemi mësuar të hyjmë në biseda qoftë edhe ashtu kot vetëm për të patur kontakt me njerëz. E kemi të domosdoshme ndërveprimin me të tjerët, madje e përdorim atë, pasi vetëm kështu mund të tregojmë që ekzistojmë. Që në momentin e parë që futemi në një proces komunikativ me të tjerët dhe me mjedisin, të gjithë përpiqemi që identiteti ynë të vishet me ngjyresat e kontekstit, në mënyrë që kur të dalë jashtë të jetë brenda pritshmërive të mjedisit social, ku zgjedhim të ndërveprojmë. Deri këtu gjithçka në rregull, për sa i përket nevojës për të ekzistuar, por këto ditë duket se nuk kemi shumë për të shfaqur për mjedisin social. Jemi mbyllur brenda!
Duket se ky kujdes aspak i tepruar na bëri më të ndërgjegjshëm për të kuptuar se sa shumë i paskemi munguar njëri-tjetrit dhe sa vlerë paska jo vetëm jeta jonë dhe e të afërmeve, por edhe e tjetrit që kemi në distancë. Reagimet ndaj lajmeve të frikshme dhe të dhimbshme që na vijnë brenda dhe jashtë kufijve nuk janë vetëm të llojit “frikacak për veten”, por edhe të llojit “keqardhje” për atë që po kalon ai tjetri i nohur apo i panjohur, larg nesh.
Në këto ditë paniku ku qëndrojmë të ngujuar prej disa ditësh dhe që një zot e di se dhe sa të tjera do të na duhet të qëndrojmë, duket se jemi bërë më të ndërgjegjshëm për të pasur një kujdes absolut ndaj armikut të padukshëm, Covid 19. Do ja dalim! Do ja dalim, pasi mësuam të kontrollojmë ngarkesën emocionale për të mos shfaqur tek më të dobëtit panikun që shkaktoi ky armik. Do ja dalim, sepse pavarësisht frikës së brendshme ka shumë pozitivitet në sytë e gjithësecilit nga ne. Sy të cilët jashtë derës së shtëpisë tashmë flasin vetëm nëpërmjet komunikimit online, por që thellë thellë nuk qenka dhe aq keq. Shumë elementë që nuk kemi mundur t’i themi përballë, tashmë i shprehim, madje edhe më me ndjenjë, pasi duket sikur nuk duam të na mbesë gjë pa thënë.
Do ja dalim sepse, ka plot shpresë nga dritaret dhe ballkonet e gjithsecilit nga ne! Do ja dalim sepse nuk jemi vetëm! Na duhet të pranojmë se triumfatorë ose jo, në këtë botë ekzistojnë njerëz që presin, njerëz që duhet të mbështeten diku, njerëz që luftojnë dhe njerëz që kanë nevojë të binden. Pavarësisht kësaj ndarjeje, në vijë të përgjithshme, të gjithë këta njerëz kanë nevojë të shfaqen që të tregojnë se kanë jetuar. E prandaj, ne do t’ja dalim! Jemi mësuar të japim dashuri me puthje e përqafime, me zhurmë e mes turmash, por le të shohim anën pozitive që solli ky i flamosur. Po themi online, gjera që nuk na kish shkuar mendja se do t’i shprehnim ndonjëherë. Po ndërgjegjësohemi se na mungojnë njerëzit që nuk ua kemi ditur rëndësinë. Po kuptojmë se duhet të kujdesemi jo vetëm për veten por edhe për tjetrin. Po duhemi më shumë!