Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të qëndrojë i mbyllur edhe një vit tjetër.
Pavarësisht se kur nisi nëntorin e kaluar restaurimi i muzeut afati i deklaruar i punimeve ishte 11 muaj, godina do të vazhdojë t’i nënshtrohet punimeve edhe për 11 muaj të tjerë.
Ministria e Kulturës bën të ditur se një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytetin bregdetar do të qëndrojë i mbyllur edhe përgjatë vitit 2024.
“Afati i përfundimit të restaurimit ishte tetor 2023. UNOPS, si autoriteti kontraktor per zbatimin e punimeve, ka aplikuar për kërkesë për afat shtesë prej 11 muajsh”,– bën të ditur ministria.
Shkaqet për shtyrjen e afatit të dorëzimit kanë qenë tre sipas ministrisë dhe ato janë:
1) Spostimi i rreth 3000 artefakteve ka marrë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar, 2) punime të paparashikuara në përforcimin strukturor të objektit kanë sjellë rishikimin e ndërhyrjeve duke kryer përforcime shtesë në objekt, ndërsa 3) ndërtimi i një shtesë të re në oborrin e pasëm të objektit është ende në proces shqyrtimi në Këshillin Kombëtar të Territorit.
Mësohet se zbatimi i projektit, pavarësisht vonesës gati 1-vjeçare nuk do të ketë kosto shtesë nga vlera fillestare.
Restaurimi i Muzeut Arkeologjik, i cili u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, po realizohet me fondin rreth 348 milionë lekë të akorduar nga Bashkimi Europian përmes programit EU4Culture.
Turistët e shumtë që vizituan Durrësin këtë sezon turistik u privuan nga vizita në Muzeun Arkeologjik. E njëjta gjë do të ndodhë edhe sezonin e vitit të ardhshëm.