Doni të ndërtoni për qëllime ngritje zyrash në qendër të Tiranës?!
Bashkia iu vjen në “ndihmë” të gjithë ndërtuesve! Në fakt bëhet fjalë për atë ndërtues që ka marrë leje ose pret të marrë leje nga ana e Bashkisë me anë të një vendimi që pritet të propozohet dy ditë më vonë.
Dhe sigurisht edhe të votohet, meqë edhe nëse has në rezistencën e opozitës, këshilli bashkiak i ka votat për ta kaluar.
Bëhet fjalë për përgjysmimin e taksës për ndërtimet e reja që do të kenë objekt të qëllimit të ndërtimit të tyre zyrat deri në një sipërfaqe të përcaktuar!
Pak ditë më parë, anëtarëve të këtij këshilli iu është shpërndarë një njoftim për thirrjen e mbledhjes së këshillit Bashkiak. Njoftimi është shpërndarë me 25 janar dhe mbledhja mësohet se do të mbahet me 31 të këtij muaji.
Mbledhja thirret për të shqyrtuar jo pak por plot 10 projekt vendime. Por ndër të tjera, projektvendimi i fundit rendor, po jo për nga rëndësia, ka të bëjë me një propozim uljeje të TNI (Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë).
Por me sa duket për këtë propozim dhe për këtë taksë bashkia e Tiranës i ka përcaktuar edhe biznesmenët përfitues pasi vetë vendi që është zgjedhur për ta vënë në zbatim këtë projektvendim është pikërisht qendra e Tiranës, që nënkupton Bulevardin dhe zonën e ish-Bllokut.
Në relacionin sqarues tregohet se cili është qëllimi i kësaj takse ndërsa sqaron se ulja e taksës nuk do të jetë për të gjitha ndërtimet në kryeqytet e aq më pak për një kohë të pacaktuar.
Aplikimi i favorizimit është vetëm për qendrën, ndërsa hartuesit e këtij projekt vendimin pretendojnë se janë fokusuar tek modelet e vendeve të rajonit e po ashtu edhe duke u nisur nga qëllimi i mirë për të mos lejuar shpërndarjen në mënyrë jo të duhur të taksimit të ambienteve që janë për banim por që përdoren si zyra.
Propozimi
Këshillit Bashkiak të Tiranës do t’i propozohet për miratim ulja e taksës së ndikimi në infrastrukturë për ndërtimet e reja në masën 4 për qind të çmimit për shitje për m2, nga 8 për qind që është aktualisht.
Ulja e taksës nuk do të jetë për gjithë ndërtimet që do të kryhen në kryeqytet dhe as për gjithë kohës. Përgjysmimi i taksës do të aplikohet për ndërtimet në qendër të Tiranës në zonën e ish-Bllokut dhe në Bulevardin e ri.
Vendimi është vetëm për një kategori ndërtimesh, ato që në projetet e tyre kanë të parashikuara zyra. Sipërfaqja e përgjithshme e zyrave duhet të arrijë deri në 30 mijë m2, më pas ky përcaktim ligjor “pushon” edhe çdo ndërtim tjetër më vonë që do të ketë zyra nuk do të përfitojë përgjysmim të taksës së ndikimit në infrastrukurë.
Projektvendimi
Në projektvendimin, i cili sjell ndryshime në vendimin aktual të Këshillit Bashkiak për “Sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës” sugjerohet, që “Për ndërtime të reja për qëllime zyrash, taksa për ndikimin në infrastrukturë të aplikohet në masën 4 për qind vetëm në rastet e sipërfaqeve deri 30 mijë metra katror”. Në relacionin shpjegues të projektligjit që pritet të miratohet në 31 janar në Këshillin Bashkiak bëhet me dije se ky propozim ka si synim të stimulojë ndërtimet e reja për qëllim zyrash nën njësitë e përcaktuara në këtë vendim, duke tentuar përqendrimin e qendrave të biznesit në një hapësirë të dedikuar vetëm për zyra dhe duke shmangur kështu vendosjen e tyre në strukturat e dedikuara për banim, gjë që sjell edhe paqartësi në taksimin e tyre.
Aktualisht Bashkia e Tiranës ka vështirësi në evidentimin e ambienteve që përdoren për qëllime ekonomike dhe informaliteti në këtë drejtim është i lartë. Po ashtu, propozohet që kjo taksë të mos aplikohet më, pas ndërtimit të kësaj sipërfaqeje. Këshilli Bashkiak është parashikuar të mblidhet më 31 janar, ku do të jenë 10 projektvendime që do të diskutohen, midis tyre edhe shtimi i linjës së parë me autobusë elektrikë në kryeqytet.
Argumentimi i projektvendimit
“Në respektim të objektivave strategjike të Planit të Përgjithshëm Vendor si dhe konkluzionet e arritura nga plani i zhvillimit mbi nevojën e ndërthurjes të aktiviteteve të ndryshme që gjerojnë zhvillim ekonomik në territor, Drejtoria e Planifikimit të Territorit synon përthithjen e aktiviteteve të punësimit të shërbimeve profesionale në zonat e e qendrës së kryeqytetit”- thuhet në argumentimin që do të paraqitet në relacion. Sipas relacionit stimulimi i ndryshimit të raporteve mes banimit dhe shërbimeve si dhe zgjerimi i hapësirave të zyrave në qendër të Tiranës jo vetëm mundëson zgjerim të mundësive të punësimit në qendër, por dhe mundëson ndryshimin e karakterit të epiqendrës urbane të kryeqytetit duke ndërthurur në një mënyrë më të harmonizuar tranzicionin mes qendrës institucionale dhe pjesës tërësisht të banuar të kryeqytetit duke përfshirë në këtë përzierje edhe qendrat e biznesit si dhe zgjerimin e aktiviteteve ekonomike.
“Eksperienca e transformimit të hapësirave të banimit në mjediset e shërbimeve profesionale tashmë ka rezultuar e suksesshme përgjatë të gjithë aksit të bulevardit si dhe zonës së “ish-Bllokut”, ku raporti mes banimit dhe shërbimit gradualisht ka ndryshuar nga 90-10% në rreth 60-40% sot. Gjithashtu një problematike e vazhduar ngelet dhe vështirësia e taksimit për aktivitetet e biznesit që shtrihen në mënyrë informale në mjediset e ndërtesave të projektuara dhe planifikuara për banim, duke informalizuar në këtë mënyrë dhe aktivitetin dhe përdorimin e godinave në vetvete me përdorime të përziera jashtë standardeve të pranueshme të bashkëjetesës së këtyre funksioneve.
Marrë nga Shekulli.com
(F.G/Faxweb)
Discussion about this post