Gazetarja Erjona Rusi përmes një shkrimi të publikuar kohët e fundit ka ‘’goditur’’ pikërisht një nga tematikat që konsiderohen ende si tabu për shoqërinë shqiptare, atë të qenurit një femër e pavarur. Me fjalë të tjera ajo shprehet se “shoqëria jonë i trajton vajzat dhe gratë shqiptare si ku**va kur ato nuk ia varin një mashkulli që i gjuan ato dhe kur ia dalin të arrijnë diçka të vetme.”
Në shkrimin e saj, gazetarja tregon një sërë ngjarjesh nga jeta e saj, si për shembull kur dëgjoj për herë të parë fjalën k*rvë dhe se si etiketohen si të tilla të gjitha ato vajza dhe gra për shkak të veshjes së tyre dhe jo prej karakterit, sjelljes apo meritave të tyre.
Po ashtu, duke u shprehur se ndjen neveri për një popull tru-shpërlarë nga Sadnat apo Hatixhet e telenovelave që përbëjnë ekstazën e tij maksimale të ditës, për një popull injorant që nuk arrin dot të bëjë dallimin mes vrasësit dhe viktimës, duke dalë në konkluzionin se: “Po! Jam ku*vë po ti?’’- shkruan gazetarja.
Rusi prej kohësh është një gazetare, aktiviste dhe feministe e cila ka manifestuar për të drejtat e vajzave dhe grave, si dhe një barazinë gjinore.
Shkrimi i saj i plotë:
S’kam për ta harruar herën e parë që e dëgjova këtë fjalë nga aq afër, më tingëlloi pisët mu tek veshët e mi. Sa kisha filluar gjimnazin dhe ecja me Anën jashtë rrethimit të shkollës kur një djalë u afrua dhe e kapi fort për dore. “O rrushi, sa e mirë qenke mi! Ndalu i çik shpirti”. Ana ishte një kokë sipër meje, e hollë e me ca kaçurrela të gjata të zeza, një nga ato vajza që nuk mund të mos binte në sy. Po përtej bukuroshes, kishte një karakter që ia kisha zili, e mbase dhe arsyeja që rrija me të. Ia hoqi dorën me vrull, e nuk ia përtoi: “Ik ore më lër rehat” dhe ia shkelëm të frikësuara që të dyja shumë shpejt. Ai gjatoshi me një theks të çuditshëm, na qëlloi gjithashtu shpuzë: “Po ik mi ku..ë, se gjej sa t’dush si ti”. Ajo fjala s’më hiqej disa kohë nga truri, se nuk ia dija mirë kuptimin dhe duke parë Anën që thuajse u zverdh atë ditë, nuk e përmenda kurrë atë episod.
Ca vite më vonë, në fakultet, kur ia kisha mësuar disi kuptimin fjalës, them disi se njerëz të ndryshëm i japin kuptime të ndryshme, e dëgjova prapa, po aq afër. Vetëm se kësaj here nuk më tingëlloi pisët, por mu ngritën nervat. Anjeza ishte vajza më seksi e grupit, vishej gjithmonë me shumë shije dhe veshje të shtrenjta, ndonjëherë edhe pak të ekzagjeruar (në këndvështrimin tim) për në auditor por gjithë sesi i shkonin me atë qëndrimin e çuditshëm, gjoksin përpara e vithet pas.
Me thënë të drejtën, shumë e kishin zili për stilin dhe sensualitetin, por mbase edhe për pasurinë që ia mundësonte të vishej në atë mënyrë. Unë isha ulur disa herë në kafe me të dhe kisha kuptuar që brenda atij trupit seksi kishte dhe një mendje goxha interesante, me ato idetë e qarta që nuk i bëhej vonë se çfarë thonin të tjerët e që nuk kishte pse ti jepte llogari kujt për jetën apo stilin e saj. E kishim parë që kishte një të dashur që shpesh e merrte nga shkolla dhe ajo thoshte se kishin vite bashkë e ishin shumë mirë me njëri tjetrin.