Ditën e djeshme aktivisti Zirkon Disha përmes një video e cila u bë menjëherë virale në rrjet, zgjodhi ditën e tokës për të ‘’mbjellë” kulla.
Duke ironizuar atë që po ndodh në kryeqytet, ku kullat janë shtuar gjithnjë e më shumë, Disha tha sot në studion e ‘’Fax News” se qeveria lokale dhe qendrore nuk bëjnë asnjë vendim transparent për publikun.
“Ky është një reagim për atë që po ndodh brenda Tiranës së vogël, brenda unazës. Mungon transparenca për publikun, dhe duhet theksuar se shumica e tyre është duke u ndërtuar në pronë publike, përmes koncensioneve.
Nuk ka të dhëna teknike sesi do të preken banorët e tjerë nga ndërtimi i këtyre kullave. Për shkak të ndërtimit të Kullës në zonën e shtatë xhuxhave, një nënë me fëmijën e saj duhet të kalojë në mes të rrugës për shkak se është zhdukur trotuari, se është zënë nga kantieri i ndërtimit.
Ne vazhdojmë të reagojmë, vazhdojmë të denoncojmë, dhe e kemi parë si reagon qoftë qeverisja lokale qoftë qeverisja vendore. Ne e kemi parë që ende sot 4 qytetarë që protestuan mbahen në burg për një arsye absurde”, u shpreh aktivisti.
(E.K/FAXWEB.AL)