Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit dukej sikur hoqën vëmendjen nga tmerri dhe paniku që ka shkaktuar loja “Balena Blu”, e cila i ka marrë jetën qindra të rinjve nëpër botë.
Mirëpo një djalë 13-vjeçar nga Tirana na e sjell sërish lojën “Balena Blu” në media. Policia bën me dije se adoleshenti ishte zhdukur, duke i lënë nënës së tij një letër pas, ku i shkruante se ishte në nivelin e fundit të lojës së frikshme.
Kjo ka ndodhur në fakt një ditë më parë, kur 13-vjeçari është larguar nga shtëpia pa lënë gjurmë. Nëna e tij pasi ka lexuar letrën, ka vrapuar në polici, mirëpo pas kërkimeve, djali u gjet me disa shokë të tij.
Më pas adoleshenti ka sqaruar se nuk e luante lojën “Balena Blu”, por thjesht kishte dashur të frikësonte nënën e tij.
“Më datë 01.07.2017, shtetësia M.N, vjeç 46 banuese në Tiranë, kallëzon se i është larguar nga banesa djali i mitur J.N, vjeç 13, i cili kishte lënë një letër ku shkruhej se kishte luajtur një lojë në internet, pasi u gjet kallëzon se nuk e luante këtë lojë, por kishte dashur të frikësonte nënën. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.”, thuhet në njoftimin e policisë. (D.D/Shuplaka)