Banorët e Porto Romanos kanë dalë sërish sot në protestë, ku kërkojnë largimin e depozitave të gazit nga lagjja e tyre.
Këtë herë ata kishin dalë me pankarta në duar së bashku me fëmijët e tyre për të treguar se kjo depozitë gazi rrezikon jetën e mijëra banorëve, jo vetëm të tyren.
Sipas banorëve është e treta herë që në zonë ka shpërthime dhe frika e tyre më e madhe është përsëritja e Gërdecit.
Pavarësisht se banorët kanë protestuar organet përkatëse nuk kanë reaguar, ndaj ata shprehen se do të përshkallëzojnë protestën deri në bllokimin e rrrugës dhe mbylljen e fabrikës.
I gjithë ky shqetësim ka ardhur pas shpërthimit i cili u shua nga ndërhyrja e zjarrëfikseve.
“Kjo është një fushë e minuar, ti vënë gishtin kokës, është kot edhe kryeministri i vendit, po të jetë puna unë jam i majtë. Në fillim na kanë ardhur dhe na janë prezantuar si biznese kozmetike, dhe më pas e kanë bërë depozitë gazi”, shprehet një prej banorëve.
“Ky gaz këtu dëmton Durrësin, Krujën dhe Tiranën, sa herë jemi ankuar ne, po nuk na pyet njeri”, thotë një tjetër prej qytetarëve.