Komitetit Parlamentar i Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të drejtohet eurodeputeti grek i Demokracisë së Re Manolis Kefalogiannis, i cili në të shkuarën ka bërë një mori me deklarata aspak miqësore ndaj vendit tonë.
Kefalogiannis është zgjedhur, duke zëvendësuar rumunen Monica Macovei bashkëdrejtuese e këtij komiteti me Taulant Ballën. Në reagimin e parë pas marrjes së detyrës, Manolis Kefalogiannis e ka vendosur theksin te detyrat që Shqipëria duhet të realizojë.
Kefalogiannis, pas zgjedhjes tha se: Është nder i madh për mua që të zgjidhem unanimisht si kryetar i Komitetit të Stabilizim Asociimit Parlamentar BE-Shqipëri. Një komision shumë i rëndësishëm që shqyrton rrugën e pranimit të Shqipërisë, një vend i Ballkanit Perëndimor që duhet të respektojë vlerat evropiane, sundimin e ligjit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e pakicave dhe natyrisht të drejtat e pakicës etnike greke.
Në vitin 2014 eurodeputeti i “Demokracisë së Re” Manolis Kefalogiannis ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian, në mënyrë që të rivendoset, – siç thekson ai, – e vërteta historike në librat shkollore të Shqipërisë dhe të shmanget qartë në të ardhmen çdo akt dhe propagandë irredentiste.
Eurodeputeti grek shkruan se “shqiptarët i quajnë në tekstet e tyre mësimore qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit si shqiptare”.
“Tekstet në një vend kandidat për në BE, si Shqipëria, përmbajnë me shumicë referenca irredentiste dhe përshkruajnë treva, që gjoja iu përkasin, të një vendi tjetër anëtar të BE-së” deklaronte ai, raporton Top Channel
“Me rastin e deklaratave të fundit nga Kryeministri shqiptar Edi Rama i kam paraqitur disa pyetje Komisionit Evropian, në të cilat theksoj se Shqipëria është duke vënë në dyshim sovranitetin e Greqisë dhe po ngre çështjet e sovranitetit territorial të një shteti sovran anëtar të BE-së, duke minuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin rajonal dhe, për pasojë, edhe perspektivën europiane”.