Fiori Dardha është një nga personazhet e dashura për publikun shqiptar. Gjithnjë e mbështetur në statuset e saj, të krijuara për fenomene e thelbin e shoqërisë sonë: Hipokrizinë, xhelozinë, famën, suksesin…Moderatorja, tashmë në drejtim të emisionit investigativ ”Boom”, ka patur më parë përvoja shumë të suksesshme në ”Top Channel” me ”Fiks”-in apo ”Bla-bla-Bla”. Një format me të cilat është përshtatur lehtësisht. ”Shuplaka” mendoi që këtë të shtunë, ta shkëpusë pak nga fundjava e saj për t’i marrë një intervistë. Fiori e gjeti kohën. Për ju që nuk e dini, ajo është duke u përgatitur për dasmën e saj në 11 mars…
Pas shumë vitesh në disa televizione nise në ‘’Top Channel’’ në emisionin më të ndjekur investigativ ‘’Fiks Fare’’. Publiku të deshi shpejt. Pra në njëfarë mënyre e zëvendësove Saimir Kodrën, figurën historike të emisionit. A ishte e lodhshme për ty kjo sfidë?
Ishte përgjegjësi e madhe. “Fiksi” ishte një emision i konsoliduar ndërmjet figurave televizive të Sajmirit dhe “Doktorit”. Momenti i hyrjes time në këtë emision ishte i papritur edhe për mua, por edhe për publikun. Të dielën paradite mora pjesë në audicion, në darkë m’u komunikua se isha përzgjedhur për të drejtuar “Fiksin” e të hënën në mbrëmje isha në ekran.
Nuk kam menduar në asnjë moment të zëvendësoj drejtuesin paraardhës. Në çdo moment kam menduar të bëj atë që unë di më mirë. Publiku më pranoi ashtu siç isha. Asnjëherë s’kam tentuar të imitoj dikë. Më pëlqen Fiori dhe besoj shumë tek aftësitë e saj!(Shkel syrin)
Çfarë ka mbetur për ty ‘’Fiksi’’? Edhe u bëre më e njohur prej tij… Çfarë mendon që ka ky emision që i ka rezistuar kohës…
“Fiksi” është “Fiksi” dhe për mua do të mbetet përherë një format i dashur. Ky emision më ktheu në televizion pas një mungese relativisht të gjatë. Ka shumë arsye pse “Fiksi” i ka rezistuar kohës. Serioziteti me të cilin trajtohet kjo hapësirë televizive në televizionin “Top Channel” është një nga arsyet kryesore. “Fiksi” ishte një shkollë për mua, ku ne “dhamë e morëm” shumë nga njëri-tjetri.
Kam punuar për 3 vite me Filip Çakulin, një nga profesorët më të mirë që kam patur në jetë dhe me Denisa Haxhiaj, një profesioniste e vërtetë që më ka mbështetur e mësuar shumë. Jam ndjerë përherë e vlerësuar nga drejtuesit e “Fiks-it”.
Dhe le të dalim te ajo që duam të dimë më shumë…pse ike? Sa mund të dimë ne nga mbyllja e kontratës dhe si është e vërteta?
Nuk më pëlqen shumë të flas për kontratat e mbyllura. Tashmë kam një kontratë tjetër shumë të rëndësishme dhe mua më pëlqen të shoh përpara. Ishte një cikël që u mbyll dhe kaq!
Mund të them që me ”Top Channel” jam ndarë në mënyrën më korrekte e më paqësore të mundshme e vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira.
Tani je duke drejtuar emisionin ‘’Boom’’. Në thelb e njëjta tipologji emisioni, në një televizion rival me ‘’Top Channel’’-in. Si e ndjen veten në këtë televizion, si e ndjen veten me Rozana Radin dhe gjithë projektin?
Është vetëm fillimi, por mund të them pa hezitim që formati i emisionit “Boom” më përshtatet plotësisht. Për shkak të përvojës së fundit 3-vjeçare në ”Top Channel” me ”Fiks Fare”, por edhe të përvojës më të dashur televizive për mua “Bla bla bla-se”, ndjehem e familjarizuar mjaftueshëm me formatin satirik dhe investigativ të emisionit “Boom”.
Për më tepër, unë jam një ndjekëse e rregullt e aktualitetit në vend dhe nuk e kam të vështirë të përvetësoj menjëherë temën e emisionit. Përpiqem që të krijoj harmoni në studio me Rozanën, por me pëlqen më shumë që vlerësimin ta bëjë publiku, sepse publiku nuk gabon kurrë.
Ka edhe një aspekt tjetër që ndjehem mirë jo vetëm me “Boom”, por edhe tek ”Ora News”. Presidenti Ylli Ndroqi e ka bërë punën më të lehtë, duke krijuar kushte të shkëlqyera për të punuar brenda dhe jashtë studiove. Këto fjalë mund t’ju tingëllojnë si klishe, por është realitet që Presidenti Ndroqi është një forcë e pandalshme lëvizëse për ”Ora News”, që merr vendimet e duhura në kohën e duhur.
Çfarë doni të sillni te publiku me ‘’Boom’’, dimë deri tani që doni të jeni avokati i qytetarëve…dhe një kuriozitet, e kujt qe ideja e balerinëve meshkuj…
Ftesa për t’u bërë pjesë e këtij projekti m’u bë nga Presidenti i televizionit zoti Ylli Ndroqi. Ishte idea e tij që drejtimi i emisionit të realizohej nga dy vajza. Gjatë mbledhjeve të para u shqyrtuan disa variante për anën formale të emisionit dhe u vendos që balerinët të ishin djem.
Çfarë mendon për gazetarinë dhe investigimin, sa e vështirë është të flitet për të vërtetat në Shqipëri?
Të bësh investigim do të thotë të merresh me pjesën më të vështirë të gazetarisë. Të duhet të zbulosh dhe denoncosh anë të panjohura për publikun dhe kjo kërkon sakrificë dhe guxim.
Kjo punë bëhet edhe më e vështirë në Shqipëri ku aferat dhe ajo pjesa e padukshme, në shumicën e rasteve, organizon dhe drejton atë që ne përjetojmë çdo ditë.
A mund të na bësh një sintezë për situatën në përgjithësi meqë je profesioniste aktive: gazetarinë, televizionin, jetën publike në Tiranë…
Është vështirë të sintetizosh situatën në Shqipëri. Tek ne ekziston një disekuilibër i çuditshëm alogjik midis të resë, të vjetrës, traditës, modernes, varfërisë, luksit, shëmtisë dhe të gjitha këto reflektojnë në jetën publike, gazetarinë, televizionin etj.
Gazetaria është e lirë dhe njëkohësisht nuk është e tillë, jeta publike vërtitet midis pamjes dhe thelbit që realisht në shumicën e rasteve nuk kanë lidhje me njëra – tjetrën.
Televizionet përjetojnë një çorientim editorial që ndryshon sa herë ndërrohen qeveritë. Në këtë realitet nuk kupton dot ku fillon liria gazetareske dhe ku mbaron robëria qytetare.
Je një nga personazhet më të mbështetur në hapësirën virtuale. Këtë e shohim ne që të kemi personazh të përhershëm të lajmeve. Nga mendon se vjen kjo? I provokon me vërtetësi, tema që të gjithë i përjetojnë apoedhe pse një figurë shumë e suksesshme televizive e jetës publike në thelb e neverit vanitetin?
Unë e them shpesh: Po të mos isha e vërtetë, do isha e papunë. Mendoj që kjo është ajo çka më bën të veçantë dhe të pëlqyeshme: vërtetësia.
Çfarë nuk shkon me shoqërinë dhe modelet tona, çfarë nuk duron dot më shumë?
Shoqëria shqiptare ka humbur sensin e së mirës dhe të së keqes. Shpeshherë ndodh që fenomenin negativ ta himnizojnë dhe viktimën ta demonizojmë. Materializmi agresiv dhe zvetnimi i kodeve morale mendoj që janë dy shtyllat mbi të cilat ngrihet e keqja në këtë vend.
Unë nuk duroj dot falsitetin! Sidomos tek personat që dalin e flasin në media. Të durosh për minuta të tëra një person që shtiret përpara teje dhe këtë shtirje e shet si performancë televizive, të bën të ndryshosh shpejt kanal dhe të ndjesh keqardhje për profesionistët e vërtetë.
Sigurisht që këta persona nuk përfaqësojnë gjithë median. Une respektoj e vlerësoj ata që punojnë me përkushtim, që suksesin e kanë arritur me mund, profesionistët e vërtetë, që për hir të së vërtetës, nuk janë të paktë.
Çfarë raporti mes famës dhe suksesit real mendon se duhet të ruajë një figurë publike…sot çfarë modelesh mbizotërojnë…
Sot kemi shumë njerëz të famshëm dhe pak të suksesshëm. Fama mund të fitohet lehtë, madje edhe mund ta blesh. Suksesin nuk e blen dot, duhet punë shumë për të qenë i suksesshëm.
Sot media reklamon vetëm dukjen, po zhduket sistemi i vlerave.

Më në fund, dita e dasmës. Pas 5 viteve që ke lindur djalin tënd. Nuk hoqe dorë kurrë nga ëndrra…na thuaj ndonjë detaj…
Dëgjoj plot vajza, madje dhe mikesha të miat që thonë “Ç’e do dasmën? Shpenzime kot e në fund duhet të durosh edhe komentet e njerëzve”.
Unë e mendoj ndryshe. E kam ëndërruar gjithë jetën dasmën time. Kam imagjinuar me qindra herë fustanin e bardhë, atmosferën që dua të krijohet, ngjyrat e dekorit, muzikën që do luhet.
E vetmja gjë që nuk kisha menduar ishte se mund të më shoqëronte djali im atë ditë. Unë e konsideroj veten me fat! Kam një punë që dua, një familje të ngrohtë dhe një djalë të adhurueshëm. Nuk kam ç’të kërkoj më shumë e falenderoj Zotin për gjithçka!
Gjithsesi, fustani i bardhë mungonte! Kam vendosur ta vesh në 5 vjetorin e Abelit, djalit tim. Do jetë një ceremoni që do mbledhë familjarët e miqtë tanë. Nuk do jetë një dasmë VIP-ash, nga ato diskretet, ku nuk lejohen fotot e gjithçka duhet të ruhet me fanatizëm. Le të bëhen të gjithë pjesë e gëzimit tim!/ Valmora Gogo-SHUPLAKA
Discussion about this post