Tema për ndalimin apo jo të trasmetimit të fimlmave të komunizmit mbetet ende një debat dhe çështje që nuk po i jepet zgjidhje.
Regjisori Saimir Kumbaronë këtë intervistë për një të përditshme u shpreh se të rinjtë e sotëm as duan t’ia dinë për ideologjinë, por i pëlqejnë shumë ata.
Më tek Kumbaro u shpreh se”po na trajtojnë si armiq dhe po na duket vetja si pjesë e procesit të dekriminalizimit, por ne nuk kemi bërë asnjë krim. Çfarë krimi paskam bërë unë që kam realizuar filmin “Rrethimi i vogël” apo “Koncert në vitin ’36”?! Këtu nuk kanë kërkuar ndjesë udhëheqësit në diktaturë, ndërkohë po na trajtojnë ne si kriminelë”.
Intervistë:
Këto ditë është hapur një debat mbi filmat e realizuar gjatë viteve të diktaturës. Është hedhur propozimi që shfaqja e tyre të kufizohet, për shkak se shumica prej tyre kanë përmbajtje ideologjike. Ç’mendoni për të gjithë këtë debat?
E gjithë kjo fushatë mua më duket një fyerje. Nuk mund të fyesh të gjithë ata krijues që i kanë bërë këta filma me mund. Mund të ketë ndonjë film “problematik”, siç i quajnë, më së shumti dokumentarë, që i japin disa kanale televizive, që i kanë marrë pa lekë, por edhe në këto raste thirren krijuesit, regjisori e skenaristi e pyeten se si është realizuar ky film, në çfarë konteksti, cili ishte mesazhi që doje të përcillje etj.
Po na trajtojnë si armiq dhe po na duket vetja si pjesë e procesit të dekriminalizimit, por ne nuk kemi bërë asnjë krim. Çfarë krimi paskam bërë unë që kam realizuar filmin “Rrethimi i vogël” apo “Koncert në vitin ’36”?! Këtu nuk kanë kërkuar ndjesë udhëheqësit në diktaturë, ndërkohë po na trajtojnë ne si kriminelë.
A mundtë ngrihet një komision vlerësues për këto krijime, siç edhe është hedhur si ide?
Komision? Kush janë këta zotërinj, këta profesionistë që nuk i njohim, që do të vlerë- sojnë se cili film bën e cili nuk bën, cili është i mirë dhe cili është i keq. Këtë duhet ta bëjnë kritikët e filmit, por ne nuk kemi të tillë. Filmi është një krijim shumëplanësh, ndaj i thonë edhe arti i shtatë, pasi përfshin në të shumë lloje artesh dhe nuk mund të vlerësohet aq thjesht sa pretendojnë këta.
Por s’mund ta mohojmë se kanë përmbajtje ideologjike…
Ideologjia dhe propaganda ishte pjesë e kohës. Nuk kishe mundësi zgjedhjeje, por duhet thënë se ideologjinë e bën ai që të jep lekët. Sot, një producent amerikan të jep lekët dhe të thotë që filmin do ta bësh si dua unë. Asokohe, producent dhe financues ne kishim Partinë e Punës, ai të thoshte urdhëro miellin, me këtë do të bësh bukën.
Po a ka mes tyre nga ata që duhen ndaluar apo kufizuar në shfaqje apo komentuar…?
Po, ka filma “problematikë”, sidomos ata dokumentarë ku paraqitet Enveri si Krishti, si shpëtimtari i kombit. Këta filma duhet të jenë pjesë e arkivit dhe duhet të trajtohen si të tillë. Ata duhet të shoqërohen me shpjegimet dhe komentet përkatëse, duke dhënë informacion për kohën kur janë realizuar, mbahet edhe një qëndrim, por nuk mund të shfaqen vetëm me komentin e vitit ’80 apo më herët. Këto prodhime duhet të trajtohen si në të gjithë botën. Le të marrim rastin e Gjermanisë, që shfaq dokumentarët për Hitlerin. Edhe filmat tanë, sidomos ata dokumentarë, për të cilët fola më sipër, mund të shoqërohen me një bisedë me realizuesit e tyre, që të tregojnë historinë e krijimit, kontekstin në të cilin janë krijuar.
A mendoni se shfaqja e dendur e këtyre filmave mund të ndikojë në edukimin e brezit të ri?
Mund të shërbejë sërish si propagandë? Rinia nuk do t’ia dijë fare për propagandën. Kam pyetur unë qindra vetë dhe as u intereson ana ideologjike. Veçanërisht fëmijët e diasporës lënë kokën për filmat shqiptarë, sidomos për shkak të gjuhës. Personalisht kam qenë partizan i idesë që këta filma të kufizohen, mos të jepen kaq shumë, por edhe kjo është e pamundur, në gjithë Shqipërinë ka 70 televizione që japin pa fund këta filma. Askush nuk ka të drejtë t’i ndalojë. Jemi në demokraci dhe kushdo t’i shohë e kushdo jo. Në asnjë vend të Lindjes nuk janë ndaluar filmat.
Nëse kjo do të ndodhte, a ju cenon juve kjo nismë?
E dini? Unë nuk kam asnjë përfitim nga shfaqja e këtyre filmave. Kam realizuar 12 syresh dhe marr vetëm 1 milion lekë të vjetër në vit për të gjithë. Unë duhet të paguhem 50 mijë lekë të vjetër për një projeksion. Do të ishte mirë sikur të m’i jepnin ato para. Por filmi jepet 20 herë dhe unë paguhem për vetëm një projeksion. Kjo është vjedhje dhe kjo është çështja që është ngritur e me të cilën duhet të merren.
(J.V/Shuplaka)