Banorët e Sharrës kanë protestuar dhe ditën e sotme kundër zgjerimit të landfillit në këtë zonë. Kjo protestë ka nisur para disa ditësh sepse në këtë zonë është planifikuar të ndërtohet inceneratori i ri i mbetjeve në Tiranë.
Banorët denoncojnë devijimin e punimeve, që është rritur sipërfaqja më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht. Sipas tyre hedhja e dherave jashtë rrethimit të vendit ku do të ndërtohet inceneratori dëmton kullotat e bagëtive të tyre.( Lexo ketu).
Ata shprehen se qeveria nuk po mban përgjegjësi dhe autoritetet përkatëse nuk pranojnë të ballafaqohen për këtë çështje.
Ata thanë se një pjesë e tokës që u përkiste atyre është blerë më një çmim shumë të ulët nga qeveria.
“Kemi ndjekur të gjitha instancat për çështjen. Këtu po ngordhin bagëtitë nga zgjerimi i landfillit. Tokën na e kanë blerë me 4 mijë lekë të vjetra. U bëj thirrje mos të na e prekin tokën. Nuk na pranojnë të ballafaqohemi. Kryeplaku nuk vjen, Kryetari i Bashkisë nuk vjen.” u shpreh një banor.
Një nga protestuesit thotë që janë shoqëruar disa herë në Polici dhe se autoritetet kanë përdorur forcë ndaj tyre. Banori shton se në momentin që ata kanë kërkuar të bëjnë një kallëzim Policia u ka thënë që nuk është kompetencë e këtij institucioni.
Më tej për kamerat e Fax News ai shton se se zgjerimi i gardhit rrethues të landfillit është bërë në mënyrë të fshehtë dhe se ata nuk janë njoftuar për këtë gjë.
“U shoqëruam në komisarjat, disa herë. Na kanë marrë me forcë. Në komisariat nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje. Na thonin bëni kallëzim, por kur shkuam atje thanë që nuk janë kopetencat tona. Nuk na kanë njoftuar për zgjerimin e gardhit. Kjo punë është bërë hajdutshe.” u shpreh banori.
Duket se zgjerimi i landfillit dhe ndërtimi i liqenit sipas banorëve ka krijuar rrëshkitje të dheut dhe se kjo gjë në një të ardhme të shpejtë do tu prishë dhe shtëpitë.
“Ka rrëshkitur dheu, ka lëvizur toka. Nëse këtu bëhet liqeni rrezikon të na prishen dhe shtëpitë. Ngulim këmbë të mos bëhet. Ujë nuk kemi, rrugë jo, të paktën mos të na vrasin. I marrim në krahë njerëzit kur na sëmuren. Rrugën e kemi shtruar vetë.” tha një protestues në zonën e Sharrës.
Një nga zonjat që proteston thotë që marrja e këtyre tokave nga shteti po u heq atyre mundësinë për të jetuar pasi s’do kenë më vend ku të kullosin bagëtitë.
“Kemi mungesë uji, dhe rrugë. Tani po përballemi dhe me mungesën e bagëtive. Me çfarë do ti rris fëmijët? Është e vërtetë që toka është e rregjistruar si tokë shteti po unë nuk kam ku ushqehem.” u shpreh një protestuese.
(j.b/faxweb.al)