I ftuar në studion e Fax News, gazetari Aulon Kalaja foli mbi publikimin e të dhënave sensitive të shtetit nga hakerat.
Kalaja u shpreh se nuk beson që Irani ka lidhje me sulmet kibernetike, e që madje i është dukur qesharake që në fillim pasi qeveria iraniane sipas tij nuk ka interes për të dhënat tona. Ai tha ndër të tjera se është e habitshme se si hakerat po nxjerrin informacione duke i përzgjedhur, ku shtoi po ashtu se situata kaotike e krijuar në pikat kufitare ku sistemi nuk po funksiononte është mjaft e rrezikshme.
“Të them të drejtën, sigurisht janë të dhëna sensitive sepse kanë të bëjnë me policinë e shtetit, persona të shpallur në kërkim, atentate të mbetura në tentativë, me figura, liderë të politikës së lartë në Shqipëri dhe Kosovë. Janë çështje që na shqetësojnë të gjithëve, sepse vihet në pikëpyetje siguria kombëtare dhe i gjithë organizimi shtetëror. Sulmet kibernetike kanë qenë shumë të rënda, faktet tronditëse.
Sigurisht e përditshmja nuk është rozë, strukturat e inteligjencës të huaja kanë marrë informacione për disa atentate që mund të kishin ndodhur në Shqipëri. Drejtori që erdhi me shumë pompozitet, tashmë i larguar, si i përkedheluri i Amerikës, ka qenë një ndër ata që nuk ka ikur me dorëheqje. Por mesa duket, atij ju kërkua që të largohej, ai s’pranoi me dorëheqje dhe kishim më pas shkarkimin e tij për mospërmbushje objektivash. Ka diçka që kërcet këtu. Ka të dhëna të tjera mendoj, por ata që i nxjerrin kanë bërë llogaritjet e tyre se cilat ujëra të trazojnë.
Para 3 ditësh të gjithë menduan se kishte një akuzë nga DASH për Bashën se ka marrë gjysëm milioni dollar nga fondet ruse, ndërkohë sot kemi një atentat që e bën martir Bashën, e shpëlan atë si figurë. Më është dukur që në fillim histori qesharake kjo e Iranit se nuk di çfarë interesi kanë ata për të dhënat tona. Sigurisht janë të interesuar për bazën e muxhahedinëve por ditët e para të sulmit kemi pasur një deklaratë nga ministria e jashtme iraniane që tha se Shqipëria po përdoret në këtë rast.
Situata kaotike në kufi, ka rënë sistemi dhe aty mund të kalojnë lehtësisht persona me të kërkuar nga drejtësia, e rrezikshme. Ky lloj sulmi kibernetik, është e habitshme pse kanë nxjerrë informacione me pikatore, kundër Nanos dhe për të shpëlarë zotin Basha”-u shpreh Kalaja.