Ministria e jashtme kineze ka reaguar pas deklaratave të ministres së jashtme britanike, Liz Truss, e cila tha se Pekini duhet ‘të luajë sipas rregullave’.
Pekini ka ngrityur akuza se NATO po nxit konflikte dhe paralajmëroi aleancën për rolin e saj në rajonin e Paqësorit aziatik.
Ministrja britanike Liz Truss përsëriti dje thirrjet për forcim të mëtejshëm të NATO-s pas luftës në Ukrainë dhe shtoi se veprimet për izolimin e Rusisë tregojnë se aksesi në tregun e vendeve demokratike nuk duhet të merret si ‘i mirëqenë’.
Truss më pas dha një paralajmërim të drejtpërdrejtë për Kinën.
“Vendet duhet të luajnë sipas rregullave. Dhe kjo përfshin edhe Kinën”, tha ajo, shkruan sipas The Guardian.
Por zëdhënësi i minsitrisë së jashtme kineze Wang Wenbin, refuzoi komentet e Truss dhe akuzoi NATO-n se po i kërkon vendeve të tjera t’i binden normave bazë, në një kohë kur “nis luftëra dhe hedh bomba mbi shtete sovrane, duke vrarë e duke zhvendosur civilë të pafajshëm”.
Wang tha: “NATO, organizata ushtarake e Atlantikut të Veriut, ka ardhur kohët e fundit në rajonin Azi-Paqësor për të vendosur diktatin e saj dhe për të nxitur konflikte. NATO e ka trazuar Evropën. A është duke u përpjekur tani të trazojë Paqësorin aziatik e ndoshta edhe botën?”
Në fjalën e saj britanikja Truss tha se NATO duhet të ndiqte para-kërcënimet nga rajoni i Paqësorit aziatik dhe të zgjeronte vështrimin e saj te vendet demokratike jashtë anëtarësisë, si për shembull Taivani, për të cilin Kina thotë se është një provincë e ndarë që ajo duhet ta rifitojë. Për këtë ajo tha se mund të shënjestrohet ekonomia e Kinës, tashmë e dyta në botë.
Kina ka refuzuar të dënojë sulmin rus ndaj Ukrainës duke marrë kritika nga vende evropiane. Në një samit të fundit Kinë-BE në lidhje me luftën, kryeministri kinez Li Keqiang tha se Pekini do të kërkojë paqen “në mënyrën e tij”.