Sot në Pogradec u zhvillua një takim i drejtuesve të institucioneve vendore ku u trajtua administrimi i sezonit turistik në zbatim të Urdhërit të Kryeministrit, masat e marra për administrimin e emergjencave civile verore dhe kontrolli vigjilent nga strukturat ligjzbatuese për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
I pranishëm në këtë takim ishte kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole si edhe nënprefekti Luan Maxhari.
“Puna e stafeve respektive të çdo institucioni nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe angazhim civil e publik me përgjegjësi nga çdo punonjës shtetëror, duke patur si objektiv kryesor përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimit ndaj qytetarëve”, u shpreh prefekti i Korçës, Jole.
Pogradeci është porta hyrëse e flukseve turistike në qarkun e Korçës, që gjithmonë e më shumë mirëpret turistë vendas e të huaj.
Prefekti ia atribuoi këtë rritje të vizitueshmërisë së Pogradecit, punës transformuese të bashkisë dhe përkushtimit të kryetarit të saj Ilir Xhakolli, me mbështetjen e pandërprerë të institucioneve qëndrore.