Gazetari Poli Hoxha ka rrëfyer eksperiencën e tij të luftës së Kosovës, në një kohë kur në vendin tonë kanë rinisur debate të forta lidhur me maskarën e Krushës, që media pranë qeverisë kanë tentuar që të implikojnë Lulzim Bashën.
Hoxha tregon se ka shkuar dhe ka qendruar në Kukës për 30 ditë, ku ka ndihmuar dhjetra qytetarë të Kosovës, që ishin larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa flet dhe për VIP-at e gazetarisë, që tashmë dalin studio më studio për të dhënë opinionet e tyre.
Hoxha shprehet se ka dhjetra dëshmi të qytetarëve, si kaseta e Krushës që kërkohet kaq shumë këto ditë, ndërsa ky debat sipas tij i shërben kryekëput Serbisë, që e transmetojnë këtë si një përçarje të brendshme mes shqiptarëve.
Postimi i plotë i gazetarit:
Në kërkim të cilës kasetë?! Mëngjesin e datës, 27 mars 1999, një autokolonë e gjatë me shtetarë e gazetarë nga Tirana u nis drejt Kukësit. Mes tyre edhe unë, që punoja në atë kohë për “Shekullin” dhe revistën “Spektër”.
Autokolonën e printe Presidenti, Rexhep Meidani dhe kryeministri Pandeli Majko, së bashku me disa ministra të kabinetit.
Rrugës u përmbys një diagaç i Gardës, por çdo gjë vazhdoi mirë derisa arritëm në Krumë. Ishin një numër i vogël kosovarësh, shumica fëmijë dhe gra, por tmerri që kishin përjetuar nuk shuhej që nuk shuhej nga atmosfera “festive” e të ardhurve nga Tirana.
Pas takimeve me krerët e pushtetit lokal dhe pas një dreke të mirë, autokolona e presidentit dhe kryeministrit u nis për në kryeqytet. Bashkë me ata edhe disa nga“vipat” e gazetarisë që sot ligjërojnë nëpër studio, për ato kohë dhe ngjarje.
Unë nuhata dhe kuptova se diçka e madhe dhe historike po ndodhte, ndaj qëndrova. Dhe ashtu ndodhi. Ndërkohë që pushteti qeveritar dhe ai “i Katërt” kishin mbërritur në shtëpitë e tyre të ngrohta, deri në orët e vona të natës kishin mbërritur mijëra e mijëra.
Ndërkohë kisha zënë një dhomë në hotel “Gjalica” për një çmim qesharak atëherë, por që pak ditë më vonë shkoi edhe 200 dollarë nata.
Në atë dhomë ku qëndroja vetëm për pak orë gjumë dhe për tu larë, prita dhe strehova kosovarë që vërtiteshin si fantazma rrugëve të Kukësit, por më shumë koleg gazetarë e fotoreporterë, që erdhën më pas nga Tirana dhe të tjerë që shoqëronin ekipet e shumta të mediave të huaja.
Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme që nuk më ka lënë vetëm mbresa, por besoj edhe trauma! Nuk dije çfarë të bëje më parë: punë si gazetarë apo të ndihmoje me sa kishe në dorë ata njerëz, të cilët dukeshin sikur sapo kishin shpëtuar nga ferri.
Ndihmova një familje të madhe me shumë fëmijë të mitur, (intelektualë e inxhinierë nga qyteti i Pejë) që flinin nëpër autobusë, falë zemërmadhësisë së pronares së hotelit e cila çdo magazinë, çdo qoshe të hotelit e ktheu në “banesë”.
Në ato afro 30 ditë kam takuar qindra e qindra personazhe dhe mblodha po aq dëshmi, të cilat në të shumtën e herës nuk botoheshin. Hotel “Gjalica” dhe “Amerika” ku më së shumti qëndronin të huajt gëlonin nga gazetarët, pjesëtarë e krerë të UÇK, por edhe nga matrapazë mediatikë e financiar.
Nuk e keni inden se sa fotografi dhe kaseta, qarkullonin në ato rrethe në atë periudhë. Mbi të gjitha tmerri që kishin kaluar ata mijëra shqiptarë të Kosovës, ishte i gjallë dhe ulëritës në çdo shtëpi, shesh, magazinë dhe rrugë të Kukësit.
Nëse kërkoni nga Lulzim Basha kasetën e “Krushës së Madhe”, hajdeni se jua tregojë unë ku mund ta gjeni: atë dhe shumë të tjera…
Çështja është se që nga dita që Edi Rama shkroi tëitterin për “Shtëpinë e Verdhë”, (i cili `përkoi` me nisjen e gjyqit në Hagë), Aleksandër Vuçiç ka deklaruar jo pa ngazëllim, të paktë 5 herë se: Shqiptarët janë të përçarë, nuk merren vesh dhe janë në luftë me njëri tjetrin.
Mediat në Beograd kanë që atëherë, që në ballinë luajnë tituj të mëdhenj me temë `luftën shqiptaro-shqiptare` para elektorale që ka plasur këtu në Tiranë.
Këtë “kasetë” dhe këtë “film”, është çështja të gjejmë.
Mbi të gjitha; Kush ja ka bërë skenarin dhe regjinë, se aktorët po i shohim nëpër studiot televizive në Tiranë!