Përdorimi i Xhamisë së Namazgjasë nga Policia e Shtetit si pika taktike vëzhgimi gjatë protestave të fundit të opozitës është dënuar nga Forumi Musliman i Shqipërisë.
Në një deklaratë të publikuar ditën e sotme ata janë shprehur se ky veprim ka cënuar shenjtërinë që ky objekt kulti përfaqëson.
Në deklaratë ata kanë shprehur gjithë shqetësimin e tyre për cënimin dhe thyerjen e paprekshmërisë së objekteve të kultit dhe ndërhyrjes së shtetit në punët e Komunitetit Mysliman dhe fesë. Dekklarat është shoqëruar me dhe foto ku duken qartë disa efektivë policie që vëzhgojnë protestën në pjesë të ndryshme të Xhamisë.
Deklarata e plotë:
Cenimi i shenjtërisë së xhamisë nga forcat e rendit
Gjatë ditëve të dy protestave të fundit të zhvilluara para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, forca të shumta të policisë së shtetit janë futur, strehuar dhe kanë qëndruar në ambientet, në oborrin dhe në rrethimin e Xhamisë së Re që po ndërtohet.
Forumi Musliman i Shqipërisë e konsideron këtë akt, si shkelje të rëndë të parimeve të paprekshmërisë së objekte të kultit, si thyerje të papranueshme të laicitetit dhe si ndërhyrje të dënueshme të policisë së shtetit dhe të vetë shtetit jo thjesht në objekte, që administrohen nga Komuniteti Mysliman dhe janë pronë e patëhuajësueshme e besimtarëve, por si ndërhyrje të drejpërdrejtë në punët e Komunitetit Mysliman dhe në çështjet e fesë.
Objekti i çdo xhamie, si edhe objekti i çdo kishe apo i çdo sinagoge, nuk mund të dhunohet kurrë në një mënyrë kaq brutale nga policia e shtetit dhe nga vetë shteti, duke shkatërruar plotësisht çdo kufi ndarës mes shtetit dhe fesë.
Nuk do të guxonin kurrë në asnjë vend demokratik, që forcat e policisë të përdornin si bazë, apo si vendstrehim, apo si vendfshehje oborrin, bodrumet apo ambientet e tjera të një kishe, një xhamie apo sinagoge. Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje qeverisë shqiptare të mos dhunojë objektet e kultit dhe Xhaminë e Re të Tiranës si deri më tani. Forumi Musliman i Shqipërisë i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, që të mos e përsërisë më këtë sjellje poshtëruese për objektet e kultit, për xhaminë dhe për besimtarët myslimanë. Ky është një qëndrim i përsëritur të cilin ne e kemi denoncuar edhe më herët pranë të gjithë organeve përkatëse dhe e kemi përcjellur si shqetësim edhe në “Raportin e Islamofobisë 2018”, që ua kemi shpërndarë të gjithë organeve qeverisëse dhe shoqërisë civile e faktorit ndërkombëtar të pranishëm në vend.
Është në themel të vlerave të demokracisë dhe të qytetërimit demokratik, që këto institucione janë të paprekshme, të mbrojtura dhe nuk mund të dhunohen kurrë në këtë mënyrë. Mbetemi shpresë plotë se mediat, shoqëria civile dhe qytetarët shqiptarë do të jenë me ne në këtë qëndrim dhe nuk do të legjitimojnë këtë sjellje të policisë. Mbetemi po ashtu shpresë-plotë, se vetë policia nuk do të përdorë më Xhaminë e re si një vendstrehim apo një vendfshehje duke e dhunuar atë.