Kryetari i LSI-së Petrit Vasili, i ftuar në emisionin “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla, ka sqaruar padinë që forca politike që ai drejton, ka dërguar në Prokurori, për kryeministrin Edi Rama.
“Kemi bërë vetëm detyrën dhe është detyrimi ynë që të mos i mungojmë detyrimit ligjor pasi në sytë e publikut, qartazi Kryeministri ka bërë një thirrje që nuk është dëgjuar në 70 vite, kur i kërkoi Policisë së Shtetit që ajo të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore.
Kjo thirrje e pashembullt motivohej vetëm nga një arsye, ajo e rezultatit elektoral dëshpërues të Edi Ramës, që e imponon atë që të dhunojë institucionet e këtij vendi dhe të bëjë një thirrje të tillë, për të cilën pati edhe një ndjesë, që është e padëgjuar sepse ne jemi në një kohë kur kemi një task forcë shumë të rreptë, në limitet e një gestapoje, që po ndëshkon ashpër sipas ligjit zyrtarë të niveleve të ulta për një foto në takime elektorale dhe Kryeministri i vendit bën një thirrje të tillë që nuk mund të jetë një ndjesë pasi bëhet fjalë për dy standarde, një drejtësi për njeriun e thjeshtë dhe një për Kryeministrin”, tha Vasili.
Kujtojmë se pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje policëve që pas orarit zyrtar të punës, të dilnin të mblidhnin vota për Partinë Socialiste, mirëpo pasi u kritikua ashpër Rama kërkoi ndjesë publike. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post