Policia ka asgjesuar 500 bimë me kanabis sativa në Krujë, në kuadër të operacionit ‘Territori i pastër’.
Në lidhje me kultivimin e këtyre bimëvë u arrestua Agron Hoxha.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Vijojnë kontrollet intensive në të gjithë rrethin, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet faza e 16-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”.
Asgjësohen 500 bimë narkotike cannabis sativa, që u gjetën të kultivuara në afërsi të një banese, në Kodër-Mazhë, Krujë.
Vihet në pranga autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.
Më herët, si rezultat i fazave të tjera të këtij megaoperacioni, janë gjetur dhe asgjësuar 8753 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të megaoperacionit policor antikanabis “Territor i pastër”, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas kishte kultivuar bimë narkotike në Kodër-Mazhë, kanë vijuar intensivisht kontrollet dhe kanë finalizuar fazën e 16-të të këtij megaoperacioni.
Si rezultat i kontrollit të ushtruar në kuadër të fazës së 16-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, në afërsi të banesës së shtetasit A. H., në Kodër-Mazhë, Krujë, u gjetën të kultivuara 500 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 52 vjeç, banues në Mazhë e Vogël, Krujë.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Territor i pastër”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.