Policia e Kosovës në bashkëpunim me DEA-n amerikane kanë arrestuar dhjetë persona, 4 në Kosovë dhe 6 në New York, të dyshuar për krim të organizuar, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Pas hetimeve të zhvilluara për një periudhë tremujore, Policia e Kosovës, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka realizuar tri operacione policore. Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët amerikan në mënyrë paralele në të dyja vendet. Dy operacione janë realizuar në Republikën e Kosovës (rajoni i Pejës) dhe një në New York. Në mbështetje të realizimit të operacioneve kanë qenë pjesëmarrës: Drejtoria e Njësive Speciale, Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve, Drejtoria e Forenzikës dhe njësi të tjera policore të PK-së në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe gjykatën kompetente”, thuhet në komunikatë.
Policia kosovare thotë se operacioni i parë është realizuar më 18 qershor 2017 rreth orës 18:30, ndërsa operacioni i dytë është realizuar më 27 qershor 2017 rreth orës 19:45 në Klinë, transmeton Koha.net.
“Operacionet kanë rezultuar me arrestimin e katër personave në Kosovë dhe gjashtë personave në New York si dhe janë konfiskuar armë dhe prova të tjera materiale”, thuhet në komunikatë.
Personat e arrestuar në Kosovë janë:
- K. lindur me 1988 m/sh/k
- D. lindur me 1987 m/sh/k
- P. lindur me 1994 m/sh/k
- M. lindur me 1989 m/sh/k
Armët dhe dëshmitë tjera të konfiskuara janë:
- 15 armë automatike AK-47
- 120 fishekë, 7.62 mm
- 1 anti-tank (zolla)
- 1 pistoletë
- 1 pushkë ajrore
- 63000 € ( gjashtëdhjetë e tremijë euro)
- 2 vetura
- 4 telefona celularë
(M.D/Shuplaka)