Policia e Kosovës i ka cilësuar të pavërteta pretendimet e autoriteteve të Serbisë se policë të Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë, në veri të vendit.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendoi se një grup i policëve të Kosovës, të armatosur rëndë, kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në Leposaviq.
“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformat që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, u tha në reagimin e Policisë së Kosovës.
Kjo ministri tha se ushtria serbe po vëzhgon situatën në terren dhe “janë të gatshëm të reagojnë” në bazë të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.
“Ministria e Mbrojtjes kërkon nga KFOR-i, si forca e vetme legale dhe legjitime ushtarake në territorin e Kosovës, që të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet e përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar përshkallëzim të dhunës”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes.
Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra dhe mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Në vitet e fundit, Kosova shpesh ka akuzuar Serbinë se sjellë pranë kufirit ushtrinë. Ndërkaq, në qershor të vitit 2023, Kosova tha se tre policë të saj u arrestuan brenda territorit të shtetit, afër kufirit, por Serbia pretendoi se ata kishin kaluar vijën kufitare. Disa ditë më vonë, policët u liruan nga autoritetet serbe.
Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative.
Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.
Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të atëhershëm të KFOR-it, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.
Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.
NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.
Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, tha muajin e kaluar se gjendja e sigurisë në Kosovë dhe rajon është e brishtë./REL