Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka lëshuar një urdhër të prerë mbi dokumentet që duhet të kenë me vete të gjithë ata që do të lëvizin me mjetet e tyre, gjatë fashave të lejuara, ndërsa ky urdhër u është dërguar për dijeni të gjithë drejtorive vendore si dhe komisariateve në të gjithë vendin.
Sipas këtij urdhri, të gjithë drejtuesit e mjeteve, duhet të kenë polica sigurimi të rregullta për përgjegjësinë ndaj të tretëve, ndërsa nuk do të tolerohet asnjë mjet i cili lëviz pa një të tillë, të vlefshme dhe të rinovuar sipas afateve të caktuara.
Gjithashtu kundravajtësit nuk do ti shpëtojnë as pagesës së gjobave të marra për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor përgjatë gjithë gjendjes së fatkeqësisë natyrore të pandemisë së COVID 19. Sipas këtij urdhri këto gjoba duhet të paguhen pa asnjë shtyrje në kohë.
Por për të gjithë drejtuesit, do të quhet e vlefshme çdo dokument i lëshuar nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit rrugor si lejet e drejtimit, kontrolli teknik vjetor, dëshmi aftësie, autorizimet që u ka kaluar afati i rinovimit që nga data 19.03.2020.
Të kontaktuar nga Fax News, drejtues të kompanive të sigurimit apelojnë qytetarët të sigurojnë automjetet e tyre sipas urdhrit të mëposhtëm datë 31.03.2020 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Departamenti për Sigurinë Publike ku sqarohet se nuk do të tolerohet asnjë drejtues të lëvizë pa policë sigurimi.
Fillimisht u krijua keqkuptimi se automjetet në lëvizje ishin të çliruar nga rinovimi i të gjithë dokumentacioneve të kërkuara sipas ligjit, ndërsa kompanitë e sigurimit reaguan ashpër pasi shlyerja e një detyrimi të tillë është e domosdoshme përgjatë gjithë gjendjes së jashtëzakonshme. Aq më tepër në një kohë që qeveria po zgjeron dhe fashat e lëvizjeve të automjeteve në rrugë.
Discussion about this post