Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj i ftuar mbrëmjen e kësaj të hëne në një emision televiziv u shpreh hapur se në 30 qershor qendrat e votimit do jenë me kyç.
“Nuk do të qëllojmë mbi vëllezërit tanë”, është shprehur Kapllanaj, duke siguruar se nuk do të ketë përplasje.
Po ashtu, kryebashkiaku i Mallakastrës tha se do të pamundësojnë votimet në zbatim të dekretit të presidentit.
Kjo ka qenë mbase edhe arsyeja pse Policia e Mallakastrës ka proceduar penalisht kryebashkiakun, Kapllanaj me akuzën për “Thirrje të veprimeve të dhunshme”
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, referuan materialet për vlerësim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për Kryetarin e Bashkisë Mallakastër për veprën penale ‘Thirrje për veprime të dhunshme’”, njofton Policia.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme e njëjta masë është marrë edhe për kreun e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, për shkak të deklaratave të bëra në një emision televiziv, se do të bllokonte zgjedhjet e 30 Qershorit (lexo këtu).
Të njëjtën fat me Frrokajn dhe Kapllanaj duket se do ta kenë të gjithë drejtuesit e PD-së që deklarojnë publikisht se do të bllokojnë qendra e votimit në 30 Qershor.