Policia ka arrestuar shtetasin e shumëkërkuar për vjedhjen e 400 mijë eurove në shtetin grek, shtetasin Aleks Çoba 48 vjeç. Ndërkaq gjatë kontrolleve në Sarandë policia ka arritur të arrestojë edhe një shtetas tjetër, 19 vjeçarin Dritan Hyseni për posedim të lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë
Policia Lokale e mbështetur nga FNSH, kontrolle në lokale dhe akse rrugore për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e autorëve të ndryshëm të veprave penale. Si rezultat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u kap një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje në shuma të mëdha të parave kryer në Greqi, si dhe u arrestua një tjetër person për posedim të lëndëve të forta narkotike
Gjatë kontrolleve në lokalet e natës u shoqëruan për verifikim 9 persona. Policia e Delvinës bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
Aleks Çoba, 48 vjeç, banues në fshatin Rusan, Delvinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vjedhje në shuma të mëdha parash deri në 400 mijë euro në shtetin grek. Për këtë shtetas u ekzekutua Vendimi penal datë 20.09.2018 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Sarandë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja” . Gjithashtu po gjatë kontrolleve nga Policia e Sarandës u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
Dritan Hyseni, 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të mjetit me të cilin qarkullonte pa leje drejtimi përkatëse u konstatua një sasi lënde narkotike në total 37.1 gramë e dyshuar si “Kokainë”. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 291 të Kodit Penal.
(J.D/Faxweb.al)